Besimtarët myslimanë sot herët në mëngjes kanë filluar agjërimin e Ramazanit, i cili zgjat 29 ditë dhe përfundon më 30 mars. Gjatë agjërimit, besimtarët abstenojnë nga ngrënia dhe pirja nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit.
Sipas fesë islame, Ramazani është muaji kur ajetet e para të Kuranit iu shpallën Profetit Muhamed para më shumë se 1400 viteve. Agjërimi, i cili është një nga shtyllat e Islamit, është obligim për të gjithë besimtarët për pastrimin e tyre fizik dhe shpirtëror. Besimtarët duhet të përmbahen nga fjalët dhe veprat e liga me qëllim të pastrimit të përgjithshëm njerëzor. Agjërimi është obligim fetar për çdo besimtar mysliman të rritur, të shëndoshë, por nuk është i detyrueshëm për të sëmurët, gratë shtatzëna dhe punëtorët që kryejnë punë të rënda fizike.
Pas agjërimit të Ramazanit, më 30 Mars është Fitër Bajrami, i cili festohet tre ditë. Pastaj e gjithë familja mblidhet për një vakt festiv dhe vizitohen të afërmit dhe miqtë. Ramazani është muaji i nëntë në kalendarin islamik.
Dita e parë e Fitër Bajramit është festë shtetërore dhe 31 marsi (e hënë) do të jetë ditë jopune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veirut.
Në prag të fillimit të agjërimit të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir Efendi Fetai ka dërguar një mesazh në të cilin ka theksuar se ky muaj madhështor na kujton rëndësinë e agjërimit, bindjes dhe veprave të mira dhe se na shpie në pastrimin shpirtëror dhe fizik.
Ai u tha besimtarëve se agjërimi nuk është vetëm një veprim i heqjes dorë nga ushqimi dhe pijet, por, siç thekson ai, një udhëtim shpirtëror që ndihmon në formimin e vetëdijes për mirësinë dhe forcimin e lidhjes me Allahun e Madhërishëm dhe kultivimin e ndjenjave për të tjerët.
“Në këtë muaj të diturisë dhe urtësisë, le të kërkojmë diturinë dhe të thellojmë të kuptuarit përmes leximit dhe reflektimit. Ramazani është gjithashtu një mundësi për të forcuar lidhjet e ndërsjella, për të praktikuar tolerancën, mëshirën dhe humanizmin. Ai na bën thirrje që të jemi të dashur, të jemi më të vëmendshëm ndaj njerëzve, veçanërisht ndaj njerëzve që kanë nevojë për ndihmë dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe paqësore. Lusim Allahun e Madhëruar që këtë muaj të sjellë paqe në zemrat tona dhe kudo në botë. Ne lutemi që të gjitha konfliktet të marrin fund dhe vuajtjet e njerëzve të pafajshëm”, thotë Fetahu.
Kreu i BFI-së përmes një mesazhi uron që ky muaj të jetë një kohë pajtimi, faljeje dhe afrimi me njëri-tjetrin.
-Vëllezër e motra! Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal të uroj me gjithë zemër që ky Ramazan të jetë i mbushur me mirësi dhe mëshirë hyjnore. Allahu na dhashtë forcë dhe na e bëftë të lehtë agjërimin dhe e lusim Allahun e Madhëruar që të na falë dhe të na mbulojë me mëshirën e Tij të pafund. Allahu ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, thotë Fetai në një mesazh për fillimin e agjërimit të Ramazanit.