Në kinemaë “Cineplex” filloi shfaqja e një prej filmave më të vlerësuar vendor “Biznesi i kënaqësisë”, me regji të Goce Cvetanovski dhe me producent Driton Ramadani.
Ngjarja filmike mblodhi në një vend ekipin e trilerit politik dhe pas shfaqjes në një koktej, të ftuarit ndanë përshtypjet e tyre.
Regjisori Goce Cvetanovski u bëri thirrje të gjithë dashamirëve të filmit që të shikojnë veprën e tij, e cila hap një temë delikate siç është prostitucioni i detyruar, dhe fokusi është korrupsioni dhe kalbësia e gjithë sistemit.
Filmi nga dje ka filluar të shfaqet edhe në qytete të tjera të Maqedonisë. Të shtunën publiku do të ketë mundësinë ta shohë në Koçan, ndërsa të dielën do të shfaqet në Shtip dhe Veles.
Në rolet luajnë Musa Isufi, Sladjana Vujosevic, Ismail Kasumi, Damjan Cvetanovski, Osman Ahmeti, Eleni Dekidis, Mendim Murtezi, Exona Salihu, Avni Dalipi dhe Katerina Kocevska, ndërsa skenarin e ka nënshkruar edhe Cvetanovski. Producentët e filmit janë Driton Ramadani, Bogdan Jonçevski dhe Goce Cvetanovski. Filmi është i financuar nga Agjencia e Filmit. Agjencia e lajmeve INA është një nga sponsorët medial të këtij filmi. (INA)