Filmi “Dita e Gruas” merr duartrokitje disa minutëshe në kino “Milenium” në Shkup

Trafikimi i qënieve njerëzore që shfrytëzohen në aspektin seksual është një temë shumë pak e rrahur në Maqedoninë e Veriut dhe më gjërë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Madje, më e keqja është se rrallë gjenden heronjë që marrin guximin dhe paguajnë një çmim të lartë për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i shpëtuar gjithë ato vajza, të cilat nga grupe mafioze të lidhura kryesisht me politikën detyrohen në prostitucion.

Ky ishte mesazhi i filmit “Dita e Gruas” me regjisor, Goce Cvetanovski dhe producent, Driton Ramadani, i cili u shfaq mbrëmë si projeksion i mbyllur në “Kino Millenium” në Shkup.

Një film që u mirëprit nga publiku dhe që linte përshtypjen se e kishin pritur gjatë një projekt të tillë serioz dhe profesional, të realizuar me një buxhet modest.

Disa minuta duartrokitje nga publiku për heronjtë, ekipin e filmit, përfshirë aktorët e mrekullueshëm që guxojnë ta flasin të vërtetën, kur të gjithë heshtin, për gjëra që po e vrasin shoqërinë dhe familjen tonë.

Filmi në fjalë dëshmon lidhjen e politikës në gjitha punët e pista, dëshmon ca media të brishta dhe të kontrolluara nga një sistem që s’ka ideale, por që nuk zgjedh metodat, duke shkatërruan individin dhe komunitetin,për të arritur tek të mirat materiale.

Megjithatë, gjithmon dalin heronjë,apo siç preferon regjisori ti quan “budallenjë” individ të fuqishëm dhe karaktere të forta që përplasen me sistemin, politikën dhe institucionet e degraduara.

Ata sakrifikohen për të mirën e përgjithshme duke paguar çmimin qoftë edhe me jetë.

Këto personazhe në film luhen me mjeshtëri dhe emocion të fortë nga aktorja, Slagjana Vujosevik, e cila në rolin e gazetares hulumton dhe nuk lë gur pa lëvizur për ta zbardhur të vërtetën deri në fund.

Disa vite pasi shoqja e saj më e mirë u bë viktimë e trafikimit seksual, ajo bashkon forcat me babanë dhe dajën e shoqes së saj për të zbuluar rrjetin kriminal.

Rolin e babait të viktimës e përmbush dhe e realizon me profesionalizëm të lartë aktori, Musa Isufi, të cilit i bashkohet edhe i miku i tij, në këtë rast aktori Ismail Kasumi.

Në të vërtetë, këta dy personazhe janë edhe heronjë e filmit, të cilët infiltrohen thellë me grupin kriminal që trafikon vajzat e reja për ti detyruar në prostitucion.

Me gjithë rrezikun e lartë, ata arrijnë ti sigurojnë provat, por për çudi kapoja i bandës qëllon të jetë djali politikanes që drejton punët e brendshme dhe gjithë sistemin.

Këtu ndodhë kthesa dhe humbja e të gjithave provave, ndërsa djali i politikanes shpallet hero, me gënjeshtrën se ishte agjent i infiltruar që punonte për shtetin.

Rolin e djalit të politikanes e luan me profesionalizëm të paparë aktori, Damjan Cvetanovski.

Një rol kyç në film është edhe ai i inspektorit të policisë, i cili realizohet me mjeshtëri të rrallë nga aktori Mendim Murtezi.

Ai në fillim shfaqet me dilema dhe me frikën e ndërhyrjes apo aksionit policor kundër bandës në fjalë, mirëpo në fund me insistimin e gazetares vepron. Madje në fund qëndron edhe me ndërgjegje të pastër, duke ja dorëzuar provat e zhdukura gazetares.

Aktori Avni Dalipi e luan rolin e Latifit,drejtorit të televizionit. Ai tenton që të zbardh rastin e shfrytëzimit të gruas, mirëpo ironia e këtij personazhi qëndron në faktin se ai tenton ta shpëtoj dikë, mirëpo që vet e shfrytëzon gazetaren.

Aktorja Egzona Salihu e luan rolin e Joanës, një vajzë shqiptare nga Shqipëria, e cila është trafikuar në territorin e Maqedonisë Veriore për të punuar në prostitucion, derisa edhe përmes saj gazetarja mundohet ta zbuloj rrjetën e trafikimit.

Ndërkaq, aktori Osman Ahmeti e luan rolin e ndihmësit kryesor të drejtuesit të grupit kriminel.

Filmi ka dramë, aksion, dinamikë dhe shumë skena rrënqethëse… Kurdo që shfaqet përsëri, mos e leni pa e shikuar. (Muhamer Pajaziti/INA)