Fisi Hoti

0

Gjeografi

Hoti është një zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare që tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë bajraqet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me “Certi Hocti” (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali.

Antropologji
I pari i fisit Hoti është quajtur Keq Preka. Sipas traditave gojore, thuhet që Keq Preka është ardhur nga një zonë në veri te territorit te Hotit rreth viti 1520, ndoshta Bosnja. Gojëdhëna tregon se ai shkoi në Piper meqë e ndiqnin sllavët. Atje ai pati gjashtë djem: Lazer Keqin, Ban Keqin, Merkot Keqin, Kastër Keqin ,Vas Keqin, dhe Piper Keqin. Lazer Keqi ishte vendosur në trojet e Hotit, ndërsa Ban Keqi në Triepsh. Të tjerët sipas emrave (homonimeve) të krahinave që njohim sot. Djali i Lazër Keqit, Gegë Lazri pati katër djem: Pejç (Pjeter) Gegën, Gjon Gegën ,Laj (Lajç) Gegën, dhe Jun (Junç) Gegën. Pjeter Gega themeloi katundin Traboin i cili ka 180 shtëpi me 1600 frymë, ndersa tre djemt e tjerë themeluan fshatin Rapshë që ka 190 shtepi me 1150 frymë.

Pema e Hotit (kontribut nga Gjokë Gojçaj)
Në Hot sot jetojnë edhe trashëgimtarët e banorëve që i thërrasin “anas” apo vendas. Më saktë banoret që gjetën në Hot kur erdhi Lazer Keqi me të birin Gegën. Sipas Llesh P. Smajlaj, nga fisi Anas kemi keto vëllazëri: Në Stare vllazëria e Dakë Hasanit dhe e Cak Hasanit. Në Rapshë vëllazëria Locaj. Në Bozhaj kemi dy vëllazëri të Martin Pecit. Anas janë edhe disa shtëpi që edhe sot e ruajnë mbiemrin “Junçaj” të cilët mendohet se janë trashëgimtar të Junç Hotit, kryeparit të malit të Hotit që quhej Kapetan (capitaneus montanee Ottorum ) në vitin 1434, dhe nuk kanë lidhje gjaku me fisin tjeter Junçaj që janë trashëgimtar të Junçit, djalit të Gegë Lazrit.

Gjenetikë
Të testuarit e fisit Hoti nga Projekti Shqiptar i ADN-së që rrjedhin nga Lazer Keqi, i takojnë Y haplogrupit Paleo-Ballkanik dhe Proto-Ilir, J2b-L283. Më specifikisht: J-L283>>Z1296>Z1297>Z1295>CTS11100. Sipas analizës së Y-DNA markerave, të gjithë përbejnë një ‘kluster’ të afërt. Dhe sipas kësaj analize, paraardhësi i fundit i tyre ka jetuar para 400-700 viteve, që koincidon kur ka jetuar i pari i tyre, Lazer Keqi. Rrjedh pyetja, a dëshmon gjenetika traditën që fisi Hoti është fis vëlla me Krasniqin, Piperin, dhe Vasojeviqin; si dhe a ka ndonjë evidencë gjenetike që këta janë të ardhur nga rajoni i Bosnjës? Çka dihet deri tash, përgjigjja e thjeshtë është jo dhe jo. Të testuarit e fiseve Vasojeviqi dhe Piperi u takojnë haplogrupeve tjerë, kurse anëtarët e fisit Krasniqi edhe pse i takojnë haplogrupit të njëjtë, nuk janë në të njëjtën degë me fisin Hoti. Më specifikisht ndahen nga paraardhësi i fundit para rreth 4000 viteve. Sa i përket migrimit nga “Bosnja”, nuk ka evidencë gjenetike deri më tash. Në fakt, anëtarët e fisit Hoti për nga linja atërore më afër kanë shqiptarë tjerë që nuk i përkasin këtij fisi dhe një grek, në një distancë rreth 1000 vjeçare. Gjithashtu në territorin e Bosnjës, nga ku mund të ketë ardhur i pari i tyre vetëm në shekullin XVI, haplogrupi J2b-L283 ka një përqindje tepër të ulët, 1-3%. Sidoqoftë, është e mundur që janë të ardhur nga ndonjë zonë rreth Malësisë së Madhe.

Siç përmendëm më lart, në territorin e Hotit ka edhe familje “anase”. Mesa dimë, nuk ka ndonjë të testuar për Y-DNA nga këto familje.