Real Madridi e ka nisur me fitore mbrojtjen e titullit në Ligën e Kampionëve. Të martën mbrëma në “Santiago Bernabeu”, Madridi fitoi 3:1 ndaj Stuttgartit.
Ndeshja i takoi xhiros së parë të fazës së ligës së Championsit.
Prej këtij edicioni Liga e Kampionëve zhvillohet me format tjetër. Faza grupore është zëvendësuar me fazën e ligës, ku paraqiten 36 skuadra.
Formati është i ri, por Real Madridi është i “vjetri”.
Fitorja ndaj Stuttgartit u arrit në minutat e fundit. Mjeshtri kroat, Luka Modriq krosoi nga këndi në minutën e 83-të, ndërsa Antonio Ruediger goditi saktë me kokë për 2:1. Fare në fund, në minutën e 95-të, supertalenti Endrick shënoi për 3:1. Ai debutoi me gol në Champions për Real Madridin.