Flamuri i Kosovës në Notre Dame: si po e menaxhon zemërimin udhëheqja e Beogradit

0

Beogradi e ka përjetuar keq ngritjen dhe valëvitjen e flamurit të Kosovës në Notre-Dame në Paris, vënë aty krahas flamujve të 86 vendeve dhe 11 organizatave ndërkombëtare, në kremtimin e 100-vjetorit të mbarimit të Luftës së Parë Botërore.

Megjithatë, ministri i jashtëm Ivica Daçiç ka konfirmuar se Beogradi zyrtar nuk do të protestojë ndaj Francës për lëtë akt. Sipas tij, kjo çështje mund të trajtohet kur Macron të vizitojë Serbinë.

“Duke pasur parasysh vizitën e pritshme të Emmanuel Macron, e para nga një president francez Serbi pas 18 vjetësh, jam i mendimit se nuk folur tani”, tha Daçiç.

Megjithatë, ai theksoi se flamuri i Kosovës në Notre-Dame është diçka e papranueshme për përfaqësuesit e qeverisë serbe që do jenë në ceremoni.

Sipas Daçiçit, është “në përgjithësi është një skandal i madh, sepse nuk ka paradë ushtarake në të cilën (Kosova) merr pjesë “.

“Ne nuk mund ta parandalojmë këtë, por mund të kemi marrëdhënie më të mira me Parisin, për të cilën vizita e ardhshme e Macron është jashtëzakonisht e rëndësishme”, theksoi kreu i diplomacisë serbe.

I shqetësuar për flamurin kosovar në Notre Dame është shfaqur dhe presidenti Vuçiç, por dhe i irrituar njëherësh nga zërat për bojkotin e aktivitetit.

Ai, gazetarëve serbë që ia potenconin me të madhe këtë gjë, iu përgjigj:

“Për asnjë prej nesh nuk është e këndshme, por ju duhet të kuptoni se njohja ka ndodhur dhjetë vjet më parë. Si është e mundur që papritmas u bë temë? Kjo ka ndodhur me Vjenën, Parisin, Londrën, Berlinin, Romën..e tani unë nuk duhet shkoj në këto vende? A doni të izolohemi? Më thoni çfarë të doni? Ju doni që Serbia të mos përfaqësohet në Paris? Si nuk mund të përfaqësohet një vend që ka vuajtur më shumë gjatë Luftës së Parë Botërore duke humbur 28 për qind të popullsisë së saj, apo 1,247,000 njerëz?”, pyeti retorikisht Vuçiç.

Sipas tij, si mund që në Paris të jetë Thaçi e mos jetë ai. “Më tregoni nëse kjo është dëshira apo ideja e dikujt, më tregoni se çfarë ju doni nga Serbia?”, vazhdoi të bënte pyetje Vuçiç.

“Mua nuk më pëlqen dhe do t’i tregoj Macron-it që nuk na pëlqen. Por a është kjo arsyeja që të mos flasim me Macron, Vladimir Putin, Donald Trump dhe, nëse është e nevojshme, edhe me Thaçin? Cili është kuptimi i të gjithë kësaj që e kërkoni atë? Ne nuk duhet të flasim me askënd e kështu ta izolojmë Serbinë vetëm sepse vazhdimisht ndihemi të ofenduar?”, pyeti Vuçiç.

Sipas tij, “ka politika të ndryshme, dhe Serbia nuk mund të sillet si një ‘grua e fyer’, por të shikojë se si të ecet përpara dhe të zhvillohet”.

Lajmi që flamuri i Kosovës u ngrit në Notre Dame u njoftua nga ambasadori i Kosovës në Paris, Qendrim Gashi gjatë fundjavës në Twitter. /tesheshi.com