Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e tretë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor kundër Armenisë dhe Komoreve.
Edhe kjo seancë është mbajtur në Kampin Nacional në Hajvali dhe është karakterizuar me intensitet të lartë dhe përkushtim maksimal nga të gjithë futbollistët.
Përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, përfshirë edhe ata që munguan në seancat paraprake, dhe ka vazhduar të punojë me ekipin në ndërtimin e filozofisë së lojës që do të aplikohet në këto dy miqësore.
Stafi teknik është përqendruar në aspektet taktike dhe organizimin e lojës në të dy fazat, si në mbrojtje edhe sulm, njofton FFK-ja.
Pas përfundimit të stërvitjes, futbollisti Ron Raçi, i cili për herë të parë është ftuar nga Foda u shpreh i lumtur që është pjesë e Kombëtares së Kosovës.
“Jam mjaft i lumtur. Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam krenar që jam në mesin e këtyre djemve. Do ta jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës. Jam duke u munduar të përshtatem me ekipin dhe taktikat e trajnerit. Stërvitjet që po i bëjmë janë me intensitet mjaft të lartë dhe shpresoj të jap më të mirën nga vetja. Të dyja miqësoret që na presin duhet t’i fitojmë, në mënyrë që të jemi më të motivuar për kualifikimet e Botërorit që na presin nga shtatori”, tha Raçi.