Formohet “UÇK” e re në Tetovë– “Ushtria Çlirimtare prej Kazinove”

Propozim Ligji i Ministrisë së financave për lojërat e fatit është skandaloz dhe i papranueshëm, kështu vlerëson këshilli i Lëvizjes Anti kazino në Tetovë, që njëkohësisht ishte edhe organizator i protestës që kundërshtoi ashpër hapjen e kazinos përball Universitetit të Tetovës. Kjo lëvizje ka filluar të quhet nga qytetarët e Tetovës edhe si “Ushtria Çlirimtare prej Kazinove”, shkruan Gazeta Lajm.
Nga Këshilli drejtues i kësaj lëvizjeje shprehen të prerë se kazinot nuk e kanë vendin në brendinë e qytetit, andaj edhe paralajmëroi përgatitjen e amendamenteve përmes të cilave do të tentojnë që të ndryshojnë tekstin e propozim ligjit në fjalë. Propozimet e tyre dallojnë mjaft nga ai i ministrisë së financave, por edhe nga qëndrimi i kryetares së komunës, Teuta Arifi, e cila doli me ide që kazinot të mos jenë më afër se 300 metra nga shkollat. Lëvizja anti-kazino insiston që kazinot të jenë sëpaku tre kilometra larg vendbanimeve.
“Konsiderojmë se Ligji i përgatitur nga Ministria e Financave është skandaloz dhe i papranueshëm. Të hartohet Ligj që do parasheh që gjitha kazinot, bastoret sportive dhe lojërat tjera të fatit të largohen tre kilometra nga shtëpia e fundit të çdo vendbanimi. Andaj iniciativa jonë do dërgoj letra gjitha grupeve parlamentare me amendamente të gatshme të përgatitura nga juristët tanë për të parandaluar sjelljen e Ligjit nga ministria e Financave” – deklaroi Xhemail Abdiu nga Lëvizja kundër kazinove.
Këshilli vlerëson vendimin e Gjykatës Administrative dhe autoriteteve komunale të cilat nuk dhanë leje që objekti në fjalë nga objekt banimi të shndërrohej në objekt afarist.
Gjykata administrative u detyrua të marrë vendim që objekti para të cilit u protestua më katër maj, nuk do të hapet si kazino – theksoi ai.
Ne e kemi dokumentin e komunës së Tetovës që është shumë i rëndësishëm me të cilin i është ndalu transformimi i objektit nga objekt banimi në objekt afarist – tha Jushi Emurllai, anëtar i këshillit.
Lëvizja anti-kazino, ka paralajmëruar edhe protestën e radhës e cila do të mbahet ditëve në vijim dhe ku pritet të marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve, përfshi edhe ata nga qytetet e tjera të vendit.