Fortifikimet e Durrësit, sot në mjerim, në sytë e francezit de Belleforest

0

Ndërkohë që debatet mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Durrës janë pjesë e kronikës politike, portali konica.al sjell një ilustrim të panjohur të Durrësit të gjysmës së dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë (1575).

Punimet e ndërmarra nga Bashkia e Durrësit kanë prekur më shumë se kurrë ndjeshmërinë publike për nëntokën e pasur arkeologjike të qytetit. Ndërkohë debatet mbi këtë çështje gëlojnë, portali konica.al sjell një ilustrim të panjohur të Durrësit të gjysmës së dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

Bëhet fjalë për një ilustrim që gjendet në librin e enciklopedistit francez, François de Belleforest (1530-1583). Një nga penat më erudite të periudhës së Rilindjes dhe historian i mbretit Henri III, de Belleforest është autor i një numri traktesh të vëllimshme mbi kozmografinë, moralin, letërsinë dhe historinë.
Bashkë me njohuritë e kohës, ai sjell një përshkrim interesant të Durrësit që nga vjetërsia ilire e deri në kohën e tij kur qyteti nga duart e venecianëve do të kalonte në një zotërim turk. “Durrësi, dikur Dyrrahu, qytet në Shqipëri, është marrë nga turqit prej venecianëve’, është diçitura që shoqëron ilustrimin e Durrësit.

Ilustrimi jep ngrehinat kryesore të qytetit, portin dhe anije të ankoruara afër bregut, periferitë e largëta të qytetit deri te kisha e Shën Mërisë (Apolloni) dhe Shën Nikollës (afër Kurjanit) e më tutje në anën veriore edhe Lezhën. Falë njohjes së literaturës klasike, de Belleforest jep një historik të lashtësisë së qytetit duke cituar Tukididin, Strabonin dhe Apianin, ardhjen e kolonëve helenë e deri te lufta qytetare e vitit 434 para Krishtit mes elementëve demokratë dhe oligarkë të qytetit./konica.al/

Komentet

komentet