Franca u kërkon vendeve arabe të ndalin bojkotin e produkteve franceze

0

Franca u ka kërkuar vendeve të Lindjes së Mesme t’i japin fund thirrjeve për bojkot të mallrave të saj. Produktet franceze janë hequr nga disa dyqane në Kuvajt, Jordani dhe Katar, si protestë ndaj qëndrimeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka mbrojtur të drejtën për të publikuar karikaturat e Profetit Muhamed.

Ministria e Jashtme franceze tha se thirrjet “e pabazuara” për bojkotin e mallrave po “shtyheshin nga një pakicë radikale”.

Ndërkohë, protesta janë zhvilluar në Libi, Siri dhe Rripin e Gazës, transmeton BBC.

Protestat u nxitën nga komentet e presidentit Macron, pas vrasjes së tmerrshme të një mësuesi në Francë, i cili tregoi karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi.

Presidenti Macron tha që mësuesi, Samuel Paty, “u vra sepse islamistët duan të ardhmen tonë”, por Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”.

Publikimi i imazheve të Profetit Muhamed mund të shkaktojë ofendime serioze për myslimanët, sepse tradita islamike ndalon qartë imazhet e Muhamedit.

Por, sekularizmi është thelbësor për identitetin kombëtar të Francës.

Frenimi i lirisë së shprehjes për të mbrojtur ndjenjat e një komuniteti të veçantë, sipas shtetit francez, minon unitetin.

Të dielën, Macron fuqizoi qëndrimin e tij në mbrojtje të vlerave franceze, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shkruar: “Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”.

Udhëheqësit politikë në Turqi dhe Pakistan kanë sulmuar presidentin Macron, duke e akuzuar atë se nuk po respekton “lirinë e besimit” duke margjinalizuar miliona myslimanë në Francë.

Të dielën, presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan tha se Macron duhet të kërkojë “kontroll të mendjes” për pikëpamjet e tij mbi Islamin.

Komentet e Erdoganit, e shtynë Francën të tërheqë ambasadorin e saj në Turqi për konsultime./ REL