Frederik Rreshpja, njeriu bohem që projektoi lexuesin, që pret la lexojë

0

Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka rrëfen “Frederik Rreshpën – lirikun e letërsisë bashkëkohore shqipe”. Ai tregon jetën e trazuar të poetit, braktisjen nga miqtë dhe shteti, si edhe marrëdhënien me Ismail Kadarenë. Sipas studiuesit, programi shkollor pa Rreshpën është i paplotë

Anila Dedaj

“Flenë fluturimet mbi drurë, flenë rrufetë në thellësi të reve; Fusha ul supin kte era…”. Në gjumin e letërsisë shqipe, një klithmë “e mbytur” vjen nga vargjet magjike të lirikës së Frederik Rreshpës, të cilat presin, që gishtat e kujtimit të paktën për një herë të mos vijnë si thikë, por t’i japin dritë poezisë së tij… Për të rishikuar dhe rivlerësuar veprën që “Frederik Rreshpja-liriku i letërsisë bashkëkohore shqipe” la pas, këtë të shtunë, në orën 10.00 në Muzeun Historik Kombëtar do të mblidhen në sallën “Shpataraku” studiues nga të gjitha trevat shqiptare. Gjatë kësaj interviste për “Shekullin” studiuesi i letërsisë Behar Gjoka rrëfen përpjekjen për të kthyer vëmendjen nga veprat e Rreshpës. “Të kthejmë vëmendjen tek poezia e tij, të kthejmë vëmendjen tek ajo shenjë që pasuron, që i jep kuptim ekzistencës së lirikës shqipe në bashkëkohësi, e cila në shumicën e vet gjendet e okupuar nga letërsia e shërbesës, e sistemit, e modelit të realizmit socialist”, shprehet Gjoka. Sipas tij, hierarkia e vlerave të ditës së sotme është po e njëjta e prezantuar para viteve ’90, ç’ka bëhet shkas për ta lënë në hije një poet si Rreshpja. Gjoka rrëfen gjithashtu jetën e trazuar të poetit, marrëdhënien e tij me shkrimtarin Ismail Kadare, si dhe braktisjen e tij nga shteti dhe miqtë…

Zoti Gjoka, si lindi ideja për të mbajtur këtë konferencë për Frederik Rreshpën?

Ka qenë në muajin shkurt, datë kur ndërroi jetë Frederiku dhe një grup nga njohësit, adhuruesit dhe miqtë e tij ishin mbledhur për ta kujtuar dhe në mes të tjerash më kishin bërë edhe mua ftesë. Agron Tufa, Shpëtim Klemendi, Aleksandër Çipa dhe të tjerë të pranishëm propozuan që të bëhej një aktivitet, për rishikimin dhe rivlerësimin e veprës letrare të Rreshpës dhe sidomos të poezisë së tij. Kam hezituar shumë, kam debatuar, kam dialoguar me të gjithë ata që e njihnin personalisht, që kishin dëgjuar diçka, që kishin lexuar veprat e tij dhe më në fund ideja është hedhur në qershor për një konferencë shkencore përsa i përket lirikës që trashëgojmë nga Frederik Rreshpja. Natyrisht ky moment mbart risqet e veta, përsa i përket atyre që do të ishin prezentë. Mbart risqet se çfarë do të thuhet, mbart gjithmonë ato situatat se cila është prurja, cila është kahja… Mirëpo synimi është ky: Një poet lirik që në botë shpesh e përmendin si poet me vlera evropiane, pse ne të mos e kemi më pranë, të mos e shijojmë, pikërisht këtë poezi, që sjell një situatë të ngjashme me Lasgushin. Nëse Lasgushi veçohet për shkak të lirizmit, pikërisht edhe Frederik Rreshpja vlerësohet në poezinë shqipe për shkak të lirizmit. Të një lirizmi që e kalon dimensionin e zakonshëm. Në veprat e Rreshpës ka lirikë atdhetare, lirikë qytetare, lirikë erotike, lirikë politike etj., por e gjithë energjia e fjalës së tij shkon tek ai koncepti i lirikës së pastër. Dhe ky bashkëbisedim i mënyrës se si ne e kemi parë dhe duhet ta shohim Frederik Rreshpën është një takim i sipërmarrë me shumë përgjegjësi, sepse raste të tilla do të thosha që zakonisht devijojnë nga qëllimi. Përpjekja jonë bëhet, që ne të kthejmë vëmendjen nga tekstet e Rreshpës. Të kthejmë vëmendjen tek poezia e tij, të kthejmë vëmendjen tek ajo shenjë që pasuron, që i jep kuptim ekzistencës së lirikës shqipe në bashkëkohësi, e cila në shumicën e vet gjendet e okupuar nga letërsia e shërbesës, e sistemit, e modelit të realizmit socialist. Përpjekja për ta nxjerrë në dritë si autor është një përpjekje që ne jemi rrekur ta bëjmë edhe me Trebeshinën në 2016-ën, edhe me Pjetër Budin, po në të njëjtin vit, edhe me Martin Camajn po në 2017-ën. Jemi në këtë situatë, sepse pavarësisht të gjithave ekzistenca e letërsisë shqipe, e hartografisë së letërsisë shqipe, e atlasit të letërsisë shqipe vijon. Një pjesë e autorëve janë në dritë, ndërkohë që neve do të na duhet të evidentojmë pjesën tjetër, autorët që janë në hije. Do të duhet t’i vendosim në pozicionin që meritojnë. Dhe në këtë kuptim Rreshpës i jemi borxhli, si lexues, por i jemi borxhli si shoqëri. Shpesh dikush është mjaftuar me situatën duke e cilësuar si “një poet nga Shkodra”… Një paragjykim i panevojshëm, sepse mendoj që poetët nuk kanë atdhe, atdheu i tyre është poezia… Dhe poezia e Rreshpës, vargjet e tij, melodia e poezisë së shpirtit të tij ilustron pikërisht këtë rrethanë ku nuk ka vlerë nga je dhe kush je, por është poezia që e tejkalon poetin.

Çfarë e lë në hije ende veprën e Frederik Rreshpës?

Ka shumë aspekte. Mendoj që, së pari, ne jemi ende tek ajo situata që ka një hierarki vlerash të prezantuara para ’90-ës. Është bërë ç’është e mundur që kjo hierarki të ruhet. Ne ndodhemi para një situate, ku ka rënë realizmi socialist, por hierarkia e vlerave të asaj periudhe është në krye. Nëse pyet këdo, me siguri që do ta dijë se poezi ka shkruar Agolli, Arapi dhe ndonjë tjetër, por pak e dinë që ka shkruar Frederik Rreshpja. Kur them pak e dinë e kam fjalën për lexuesin e gjerë, jo lexuesin e specializuar. Duke pasur parasysh një situatë që poezia lirike, poezia e lirizmit të errët në atë kohë shihej më shumë si një situatë që flenë djajtë, dhe nuk kishte se si të spostonte epizmin e kohës që kërkonte optimizëm. Mes Rreshpës, dhe optimizmit të kohës, nuk ka asnjë lidhje. Në këtë kuptim, nëse ne do të përdorim ato metoda të projektimit, të vlerësimit e të konsiderimit Rreshpja do të mbetet i përjashtuar. Mandej, unë mendoj që letërsia shqipe nuk duhet parë e ndarë, letërsi brenda vendit, letërsi jashtë kufijve, letërsi në diasporë. Ato që janë shkruar në gjuhën shqipe janë pjesë e pandashme e niveleve që ka pësuar poezia jonë. A mund të mendohet letërsia shqipe pa Camajn, lirikun abstrakt?! A mund të mendohet letërsia pa Anton Pashkun, prozatorin e jashtëzakonshëm, që nuk ka qoftë dhe një tekst të përgjumur?! Pra, ka një problem që ne në raport me shpirtin, në raport me vetëdijen gjuhësore dhe letrare kemi jo pak vonesa dhe hapësira të lëna bosh. Nëse do ta konceptonim letërsinë shqipe si tabelën e Mendelejevit për një moment, në këtë tabelë mungojnë shumë emra, ose janë shkruar për arsye të mosarsyes. Dhe, kthimi i vëmendjes tek teksti, kthimi i vëmendjes tek të mbërrimet që ka letërsia shqipe do të mundësojë që ne të kuptojmë, se kjo hierarki është fiktive, kjo hierarki është e panevojshme, sepse hierarkia më e mirë është shoshitja që bën koha, si të ishte një sitë, nga brezi në brez. Nga ana tjetër ta ndash letërsinë, në letërsi që futet në programin e shkollave dhe letërsi që nuk hyn në program do të thotë të kesh bërë një përzgjedhje zyrtare, e cila na lë hapësira bosh në komunikim me letërsinë reale, ku midis të tjerash mungesa e Rreshpës është e paimagjinueshme. Është një mungesë që na lë përshtypjen se është kënduar për baltën, për tokën, për revolucionin, për partinë, por nuk është kënduar për shpirtin, ndërkohë që librat e Rreshpës vërtetojnë diçka tjetër. Pra do të duhet të bëhet një riformulim i idesë, se çfarë do të quajmë letërsi, sepse në fakt Rreshpja në veprën e tij, jo vetëm që ka shkruar poezinë, por ka projektuar edhe lexuesin që pret ta lexojë. Është një tekst që është shkruar në një kohë dhe kërkon një kohë tjetër, sepse Rreshpja e dinte që në kohën e optimizmit nuk do të kishte gjasën e komunikimit real. Në këtë kohë, kur tashmë Rreshpja nuk mund të na jap asnjë përgjigje, unë mendoj se ka ardhur koha për një komunikim real me tekstet e tij, sepse duke komunikuar me atë, ne kuptojmë unin, kohën, përgojimin, dhunimin, burgimet, mbijetesën… Ne kuptojmë që në fund fare, njeriu dhe poeti ka raste që përputhen, mirëpo ka raste të tjera që nuk përputhen dhe në këtë kuptim, nëse ne do t’i kërkojmë poetit shenja etike, tek Rreshpja nuk do t’i gjejmë. Tek Rreshpja do të gjejmë shenja estetike, shenja të cilat e veçojnë. Shenja që e bëjnë njërin nga lirikët më të shquar të letrave shqipe dhe padyshim njërin nga lirikët më të dalluar në bashkëkohësi. Në këtë kuptim komunikimi me të do të thotë të njohim disa melodi të shpirtit, të shohim disa imazhe të shpirtit, të ndiejmë disa gahma dhe pasthirrma të shpirtit, të derdhura në magjinë e poezisë.