Freedom House: Shqipëria pjesërisht e lirë

Polarizimi i klasës politike, krimi dhe nepotizmi po rrezikojnë vlerat e demokracisë në Shqipëri. Organizata “Freedom House”, në raportin e saj të fundit për lirinë në botë, konstaton se shqiptarët vitin e kaluar ishin më pak të lirë të bënin zgjedhjet e tyre dhe gëzuan më pak të drejta në shoqëri.

Nga 67 dhe 68 pikë që numëronte në dy vitet më parë, për 2021-in Shqipëria ka 66 pikë në indeksin global ku matet niveli i demokracisë.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar renditen si probleme serioze pavarësisht përpjekjeve për t’i adresuar, por problematike shfaqen edhe lidhjet e ngushta mes botës së biznesit me politikën, dhe kontrolli mbi mediet që cenon pavarësinë e tyre.

Emi Slipouic, bashkë-autorja e raportit tha për “Zërin e Amerikës” se dy ngjarje ndikuan në notën e Shqipërisë në vitin 2020.

“Një ishte dhuna mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në muajin maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Në muajin dhjetor policia po vrau edhe një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto dy raste kontribuan në rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit.”

Kosova po ashtu pësoi një rënie prej 2 pikësh në nivelin e demokracisë nga 56 në 54.

Sipas ekspertëve amerikanë, te kjo ndikoi më shumë ardhja në pushtet e qeverisë së Avdullah Hotit në mënyrë jo-kushtetuese, si edhe opozita, e cila orkestroi rrëzimin e ish-kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkohë, në rajon, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje në indeksin e “Freedom House”, veçanërisht Maqedonia me 3 pikë më mirë.

Organizata që financohet nga qeveria amerikane tha se në 2020-ën shumë vende pësuan rënie të demokracisë në kushtet e pandemisë së covid-19.

Standardi i demokracisë në botë mbeten shtetet nordike, Suedia, Norvegjia dhe Finlanda, ndërsa Siria në Lindjen e Mesme është vendi më pak i lirë për të gëzuar të drejtat politike dhe liritë civile.