shkruan: Naser Pajaziti
Ata që vërtetë e kanë nda mendjen me i bo karshillëk BDI-së dhe Ali Ahmetit apo “front opozitar” sa më urgjentisht të lënë kacafytjet në distancë dhe dokrrat, me akuza e kundërakuza, sepse ky kurs s’ka kokërr vlere dhe të çon me kokë në mur.
Njerëzit janë lodhur nga deklarimet pompoze inatçore se: Jo ai i ka fajet, jo unë e deshta, s’më deshti, po du, s’po du….?!
Populli është i mençur. Ai do diçka konkrete, me e ndje dhe me fitu guxim, besim dhe vullnet për ndryshim. Ata që janë Opozita, duhet t’ia jap këtë!
Me ofru njerëz të mençur, me hartu platformë, programe që prekin jetën, xhepin e qytetarit, frymën e tyre, mahallën, spitalet, shkollat e deri tek problemet e tjera me prefiks nacional.
O ndrrone qasjen, rrugën, ekipet, o mos maltretoni popullin! Keni bërë gabime, pranoni, rikuperoni! Pastaj mos fajësoni!
Padurueshmëria dhe ndasia e këtij spektri të përcaktuar deklarativisht “anti-BDI” në vazhdimësi mbahet në tension dhe në konflikt të palogjikshëm me inate e kapriço dhe joshje që konsiston në politikanë “tërpijana” për pushtet dhe allashverishe.
Sot jemi dëshmitarë se në çfarë derexhe është ky popull, me rini që për ditë po ikë, sepse nuk po sheh diçka të hajrit!
Kjo përplasje e ashpër mund të jetë një “deja vu”, dhe se të gjithë e dijmë dhe jemi dëshmitarë të të gjithë atyre dashuriçkave në jorganin e përbashkët qeverisës me Ali Ahmetin!
Ata dhe ne janë dëshmitarë se çdo ditë në heshtje po ikin të rinjtë tanë. Jemi të prekur të gjithë, sepse na iku vëllau, kusheriri, fqiu e miqësia.
A e kanë të qartë se s’do ngelen votues për ta, për cenzuse e pazare?!