Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtarët deklaruan se do të punonin për korrigjime, që pagat të mos ishin aq të larta, por gjithçka mbeti vetëm si angazhim dhe jo realizim. Nuk ishin shumë të zëshëm as nga opozita për të ulur pagat e funksionarëve të tyre në komuna dhe si deputetë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 nëntor – Funksionarët pas vitit të ri do të marrin paga më të ulëta. Prej muajit maj mbi 1000 funksionarë të zgjedhur dhe emëruar kanë të ardhura paga më të larta prej 78 për qind. Apo thënë ndryshe së paku 8 muaj ato marrin paga të larta. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se deri në fund të vitit pritet të gjendet zgjidhje për uljen e pagave të zyrtarëve. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtarët deklaruan se do të punonin për korrigjime, që pagat të mos ishin aq të larta, por gjithçka mbeti në premtime. Nuk ishin shumë të zëshëm as nga opozita për të ulur pagat e funksionarëve të tyre në komuna dhe si deputetë. Fillimisht nga ekzekutivi thanë se po shqyrtohet mundësia e uljes së koeficientëve në përllogaritjen e pagave, por më pas thanë se përmasat e pagave të zyrtarëve do të rregullohen me një zgjidhje të re ligjore. Një ligj i tillë nuk është miratuar deri më tani, kështu që mbi një mijë zyrtarë shtetërorë, përfshirë edhe më të lartët, akoma marrin rritje pagash prej 78 për qind. “Po bisedojmë në Qeveri. Vendimin për ngritjen e pagave të zyrtarëve nuk e ka marrë Qeveria, por Gjykata Kushtetuese. Jemi duke diskutuar dhe duke kërkuar një mënyrë për të zgjidhur çështjen e rritjes së pagave të zyrtarëve. Një opsion është ligji për pagat në sektorin publik, një tjetër është ndryshimi dhe plotësimi i disa ligjeve, gjashtë apo shtatë ligje, që rregullojnë pagat e të gjithë atyre zyrtarëve, që përfshihen me vendim të Gjykatës Kushtetuese”, thotë ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale. Duke shtuar se zgjidhja duhet të kalojë në Parlament, që e jep verdiktin e fundit.
Ajo vuri re se edhe deputetët në periudhën që ka kaluar nga marrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë mundur të marrin vendime ligjore, me nismën e deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe se nuk është e nevojshme t’i lihet gjithçka në dorë Qeverisë. Për më tepër shton se nuk është e sigurt se kjo do të arrihet deri në fund të këtij viti, përmes Ligjit për Paga, duke marrë parasysh edhe koeficientët e pagave që duhet të përgatiten së bashku me sindikatat në mënyrë që të rregullohen pagat në shëndetësi, arsim, mbrojtje sociale, mbrojtje fëmijërore, administratë dhe ndërmarrjet publike.
Nga ana tjetër, një rritje e tillë e pagave erdh në kohën kur të punësuarit në më shumë sektorë kërkojnë paga më të larta, ndërsa as pensionistët nuk janë të kënaqur me pensionet e tyre.
Gjykata Kushtetuese deklaroi se nuk ka vendosur për shumën e pagave, por është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave të veçanta. Është vlerësuar si antikushtetuese ngrirja e bazës deri më tani. Nga atje shtojnë se ndryshimet dhe korrigjimet e pagave janë përgjegjësi e Parlamentit dhe nismave ligjore që e mundësojnë këtë,ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk vendos për pagat. Ekspertët ekonomik thonë se edhe me rritjen prej 78 për qind pagat e zyrtarëve me 2000 euro janë deri pesë herë më të larta se pagat punëtorëve të tekstilit apo shitësve, apo për disa herë më të larta se pagat në arsim apo shëndetësi.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon të mos ketë diskriminim në lidhje me dispozitat ligjore për rritjen e pagave kur bëhet fjalë për zyrtarët në krahasim me punëtorët. Andaj LSM një muaj më parë dorëzoi propozimin në Parlament për uljen e pagave të zyrtarëve për 78 për qind. Me të, ata kërkuan ndryshime të menjëhershme të nenit 11 të Ligjit për paga dhe shtesa të tjera të deputetëve dhe të personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar në shtet.
“Propozojmë që rritja e pagave për punonjësit dhe zyrtarët e sektorit publik të jetë në parime të barabarta pa diskriminim në përputhje me parimet e pajtuara në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik dhe rregullat që punëtorët të zbatohen në mënyrë të barabartë për zyrtarët, kështu që nëse Qeveria konsideron se një rritje pagash prej 10 për qind nga shtatori 2023 dhe vendosja e një metodologjie për llogaritjen e pagave bazuar në parimin e pagës mesatare bruto dhe koeficientit të kompleksitetit të punës, por duke filluar nga 1 marsi 2025 për punëtorët, të njëjtin parim zyrtarët duhet të zbatojë edhe për veten e tyre dhe që kjo është arsyeja pse LSM-ja e bën këtë propozim pikërisht në drejtim të zbatimit të parimeve të barabarta për pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik dhe zyrtarëve të zgjedhur e të emëruar, pavarësisht nëse është në nivel qendror apo lokal”, thonë nga LSM.
Nga atje shtojnë se në periudhën e kaluar ju kanë udhëzuar të gjithë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar se është e palogjikshme rritja drastike e pagave të zyrtarëve, veçanërisht në kohën kur punëtorët, qytetarët dhe pensionistët ballafaqohen me pasojat e krizës ekonomike, shëndetësore dhe ushtarake, rritjen e kostos së jetesës apo inflacioni dhe shtrenjtimin e shportës minimale të sindikatave.