Fushata e shtrenjtë elektorale e zgjedhjeve europiane në Itali

0

Zhurma elektorale mund të kushtojë shumë. Pak para zgjedhjeve europiane është duke e provuar Italia: Zëvendëskryeministri Salvini gjëmon kundër rregullave të BE dhe detyrimet qeveritare fshihen.

Italia, shkruan gazeta e Romës, “La Repubblica” ndodhet „nën vëzhgimin e veçantë të tregjeve“. Kjo është e vërtetë. Reagimet e tregjeve financiare për shprehjet e politikanëve të Romës, pasojnë pothuajse në të njëjtën kohë. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini i Legës së djathtë godet kundër kritereve europiane të stabilitetit, duke thënë shprehimisht: „Ato nuk na bëjnë fare përshtypje“- dhe kostot e borxheve shtetërore italiane shkojnë në stratosferë.

Ministri i Ekonomisë, Giovanni Tria thekson se vendi ndodhen nën detyrime të caktuara dhe se tregjet do të qetësohen sërish. Nervoziteti vazhdon të mbetet. Dhe ai do të vazhdojë të jetë prezent edhe gjatë zgjedhjeve europiane që mbahen nga 23 deri 26 maji. Deri atëherë kokoshët që zihen vazhdojnë të qeverisin në Romë.

Rrëshqitje me shpejtësi

Thjesht me shifra rrëshqitja e kushtueshme me shpejtësi e borxheve shtetërore italiane u zhvillua kështu: Ditën e martë renditet e borxheve dhjetëvjeçare të Italisë u rritën në dy muaj e gjysmë me 2,80 përqind. Salvini, zëvendëskryeministri i Italisë, që shihet prej shumë vetëve si kryeministri në prapaskenë i vendit, pati thënë më parë se qeveria e Romës është e gatshme që të injorojë rregullat e BE për defiçitet dhe të rrisë deri në 140 përqind zhvillimin e ekonomik vjetor, që aktualisht është rreth 130 përqind, në mënyrë që të përshtatet me koniunkturën.

Renditet e borxheve shtetërore dhjetëvjeçare ranë në 2,751 përqind pasi kolegët e kabinetit, Tria dhe është po ashtu zëvendëskryeministër Luigi Di Maio nga „Lëvizja pesë yjet“, u munduan të sheshonin fryrjen e borxheve. Edhe ditën e enjte ata u morën me këtë punë me këmbëngulje. Pas shifrave fshihet një rrezik serioz për Italinë. Prandaj në vend ndiqet me kujdes të madh i ashtuquajturi “spread”, pra distanca midis borxheve shtetërore italiane dhe borxheve shtetërore gjermane. Ditën e mërkurë “spread” u rrit me 2,9 përqind. Kur kjo shifër arriti 3,5 përqind, ish-kryeministri italian Berlusconi humbi postin.

Mes shteteve të mëdha europiane, Italia është vendi i BE me borxhet më të mëdha. Kuota e borxheve ishte në vitin 2018 në 132,2 përqind, ndërkohë që kriteret e BE e lejojnë të jetë deri në 60 përqind. Një vlerë rekord për Italinë: 2,4 bilionë euro. Një pjesë e madhe e këtyre borxheve të shtetit italian i mbajnë bankat italiane. Më shumë se 400 miliardë euro borxhe shtetërore të Romës, janë shkruajtur në bilancet e bankave, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila thekson se kjo është më shumë se kapitali që ka i gjithë sistemi bankar të vendit.