Fushata e zgjedhjeve si “defteri i bakallit!”

0

Fadil LUSHI/

Njerëzit e mi të afërm, të dashur dhe të paanshëm, shpesh “parapëlqejnë” të thonë se unë, sa herë që bëj “shkarravinën”, aq herë mëtoj t’i “ngul kunjat vend e pa vend”… dhe asnjëherë nuk lidhem me një të vetmin kunj.

“Parapëlqejnë” të thonë se si unë herë-herë dal “lugat majtist a mëngjarash”, pastaj “kinse hiqem si ai engjëlli demokrat”…, herë-herë sikur “aktroj militantin e qendrës së djathtë dhe asaj të majtës”, sikur shtirem se “ngandonjëherë” mbaj “anën e liberalëve, konservatorëve, ballistëve” dhe të tjera orientime ideologjike. Ç’është e vërteta, unë “hiç nuk kam haber” nga këto nocione politike, nga fakti se asnjëherë nuk arrita t’i zbërthej, e lëre më t’i shpjegoj domethëniet e tyre…, mandej ndoshta me të drejtë do të thonë se unë parapëlqej t’i bëj shkrimet me metaforë, me sarkazma, me humor të gjallë, të lehtë a të bardhë, duke i përfunduar me atë shakanë tonë të njohur, të zezë dhe me “zarar!” Këtë shkrim nuk e kam ndërmend ta shtjelloj a ta ndriçoj duke iu referuar thashe-themeve, ideve a mendimeve politike të zbehura dhe të “ricikluara”, të tëra të dala nga “mu-habetet” e gjithsecilit që nuk e ka mendjen “tamam”, nuk do t’i referohem as atij zagarit rrugaç dhe “dollmaxhiut”, as që e kam ndërmend t’i referohem asaj shprehjes proverbiale ku, pos të tjerash, thuhet: “më rrove, të rrova”(allafrënga dhe allaturka – nënvizim ynë)…, aq më pak do t’i referohem asaj thënies franceze: “Fatkeqësia e disave i lumturon disa të tjerë!”, nuk do t’u referohem as poezive “të synetçiut a berberit” të lagjes sonë që “sabah e aksham” hiqet si poet, nuk do t’u referohem as mendimit të lustraxhiut tonë të respektuar, i cili me shumë dashuri dhe për pak lekë “t’i bën këpucët xham fare”, aq më pak do t’i referohem tregtarit shëtitës, i cili “vezët industriale, t’i ngul si me qenë vezë të pulave të shtëpisë”…, nuk do t’i referohem as ish-gjykatësit shpellar, opingar dhe druvar…, i cili sa herë bën “mysafirllëk nëpër kuvendet e intelektualëve shqiptarë, aq herë bën ‘yrysh’ në kërkim të mishit prej bythë viçi”… e të tjera referime.
Miku im i dashur, unë këtë shkrim nuk do ta “çoj kah përfundimi” pa iu referuar një “meseleje” para gjashtë dekadash, një “mesele” që asokohe për “kryeprotagonist” kishte “jabanxhiun” që jetonte në kasabanë tonë…, ma kujton hebraikun, “dyqanin e bakallit dhe defterin e tij!” E mbaj mend që kur ne, si fëmijë, shkonim me urdhër të prindërve të merr-nim gjësende për shtëpi. Meqenëse ne nuk i kishim lekët, ai na e jepte kripën, sheqerin dhe ca çikërrima të tjera… dhe mandej e shkruante emrin e babait në “defterin e veresieve!” Pas një kohe, babai ynë kishte hetuar se në “defterin e bakallit” ishin regjistruar edhe gjësende që asnjëherë nuk u morën… dhe kjo falë fletores së familjes ku regjistroheshin “të hyrat dhe të dalat!” Fatkeqësisht, që kur iku nga kasabaja jonë hebraiku “bakall” na e la vesin e të “gënjyerit, regjistrimit, numërimit dhe shumëzimit me hile!?” Se ky “defteri i bakallit” hebre ka “gjë të përbashkët” me fushatat dhe zgjedhjet e mëparshme këtejpari në Maqedoni-në e “Veriut”, qofshin ato vendore, parlamentare (të rregullta a të jashtëzakonsh-me) dhe presidenciale, unë “nuk di gjë, po as që dua ta di!”
Ti, miku im, shef i shtabit zgjedhor, ti “dosti” im lidership, ti vëllai im prej nëne dhe prej opozitari, ti miku im pushtetar, ti miku im përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, ti fqinji im, ti aktivisti i cilësdo qoftë partie politike (hiq mënjanë minorenët, mësuesit, profesorët universitarë si dhe të gjithë ata që kryejnë shërbime fetare), ti shoku im prej fëmijërie… nëse je apo mëton të hiqesh burrë i drejtë dhe i ndershëm, nëse i takon familjes fisnike, nëse i takon një partie politike serioze, atëherë gjatë fushatës zgjedhore nuk do të kesh nevojë të mbipopullosh hapësirat e sheshit të qytetit, katundit a ndonjë vendi tjetër…, nuk do të kesh nevojë për debate televizive, nuk do të kesh nevojë të organizosh kuvende politike…, nuk do të kesh nevojë ta fyesh nënën shqiptare, nuk do të kesh nevojë që t’ia thyesh hundët vëllait, nuk do të kesh nevojë që biznesmenit t’ia marrësh me forcë a me dredhi lekët që s’të takojnë, nuk do të kesh nevojë të kërkosh prej aktivistit “ta sjellë nënën e tij të vdekur” në tubimin tënd, nuk do të kesh nevojë ta ngarkosh me faj deputetin e zonës…, pse ai nuk t’i paskësh sjellë votat e vjedhura, votat kriminale, “votat prej sheqeri dhe mielli”, nuk do të kesh nevojë ta bësh me faj komisionerin pse ky “nuk paskësh regjistruar, shumë- zuar dhe numëruar me hile” votat vendimore të sovranit…, ki parasysh se votat e këtillë nuk të nderojnë as ty, as fisin dhe as “shefin” tënd e aq më pak partinë dhe “miletin!” Në je i ndershëm, unë do të besoj se ti nuk do të veprosh ndryshe…, por nëse nuk do heqësh dorë nga avazet e mëparshme, nëse nuk do të heqësh mendjen nga retorika boshe, ofenduese dhe premtuese, nëse do të thumbosh si grerëza, nëse do të hiqesh sajues-shtrembërues dhe nëse në istancë të fundit, do të mungojë tabani kombëtar, atëherë ti “meriton defterin e bakall-xhiut!”
Nëse do të më lejohet, shkrimin do ta përfundoj me një detaj nga privatësia ime. Dikur në shekullin e kaluar (kur shqiptarët më (ri)punësuan si këshilltar pedagogjik), babai im i kishte parashtruar një pyetje zonjës së tij (asnjëherë nuk iu drejtua me emër), gjegjësisht nënës sime: “Oj grua! Pa më trego se me ç’punë e kanë ngarkuar çunin tënd lazdrak e re-bel!” Meqenëse ime ëmë nuk kishte pasur “haber” se çdomethënie kishte nocioni këshilltar, kishte qenë e detyruar ta lakojë me të folmen krahinore, duke i thënë: “Ky djali ynë, do t’u japë mend mësuesve!” Kurse im atë ia kishte kthyer me tallje dhe me “shovinizmin e tij mashkullor!”: “Eh, grua, ai nuk ka për vete, e lëre më t’u japë të tjerëve!” He, miku i da-shur! Besoj se unë në këtë shkrim nuk “parapëlqeva të të jap mend”, as ty e as lidershipit, as partive politike e aq më pak sovranit…, pavarësisht se babai im tha… se unë asnjëherë nuk i kisha mendtë! Zoti i bekoftë “inatçorët” shqiptarë, ndërkaq juve vëllezër dhe motra të një gjaku, ju paça me shëndet dhe me dije!