FUSHATA SHTETESIA.MK: Do të dalin në pah personat “inekzistent”

Në Maqedoninë e Veriut ekziston një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që nuk kanë shtetësi. Problemi kryesor për marrjen e shtetësisë janë kushtet rigoroze të cilat aplikuesit vështirë i plotësojnë. Ka raste kur një qytetar, i cili ka lindur dhe është rritur në Maqedoninë e Veriut, por nuk posedon shtetësinë për shkak se në ish shtetin e përbashkët të Jugosllavisë ka ndërruar vendbanimin dhe shumë raste të tjera. Duke i pasur parasysh problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët gjatë aplikimit për shtetësi, propozim-ligji i ri për shtetësinë e Maqedonisë së Veriut i propozuar nga opozita shqiptare parasheh lehtësim të procedurës së marrjes së këtij dokumenti, në krahasim me rregullat dhe procedurat e deritashme. Por për të njëjtën ata këtë javë kanë shpalosur edhe Platformën “shtetesia.mk” në të cilën qytetarët pa shtetësi mund t’i paraqesin problemet e tyre rreth kësaj çështje.
Platforma shtetesia.mk menaxhohet nga Qendra Analitike e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilat janë përgjegjëse për udhëheqjen e fushatës, informimin e qytetarëve, pranimin e paraqitjeve të rasteve të qytetarëve, analizimin e problemeve kryesore dhe menaxhimin e gjetjes së zgjidhjeve potenciale për problemet e paraqitura me shtetësinë. Nga dita që kur kjo platformë u promovua (19 janar) e deri më sot – nga Qendra Analitike e Aleancës për Shqiptarët thonë se kanë pranuar numër të konsiderueshëm të qytetarëve që kanë paraqitur problemin me shtetësinë.
“Deri me datë 22/1/2021 kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të paraqitjeve, të cilat si për nga numri, edhe për nga natyra e problemeve me të cilat kemi vërejtur që hasin banorët pa shtetësi, vetëm se na e shtojnë bindjen që ligji aktual domosdoshmërisht dhe urgjentisht kërkon ndërhyrjet të cilat koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i ka përgatitur dhe presim të kalojnë. Rastet të cilat na janë paraqitur variojnë për nga natyra, duke filluar nga raste në të cilat personat kanë aplikuar disa herë për shtetësi, mirëpo janë refuzuar pa arsye jo bindëse, e deri tek rastet në të cilat personat kanë aplikuar për shtetësi dhe për vite të tëra nuk kanë marrë përgjigje mbi aplikimin e tyre”, thotë Bashkim Bakiu nga Qendra Analitike e ASH-së. Ai thotë se për momentin janë në proces të informimit dhe atëherë kur do të konsiderojnë se janë grumbulluar informacionet e nevojshme, do të iu ofrojnë ndihmë juridike këtyre personave që praktikisht për shtetin “NUK EKZISTOJNË”.
“Në të ardhmen, përveç përpjekjeve tona që të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme në Ligjin për Shtetësi, do të mundohemi që të ofrojmë asistencë administrative dhe këshilluese për rastet të cilat na janë paraqitur për ndihmë. Për momentin ne ende jemi në proces të informimit të qytetarëve për platformën shtetesia.mk, ndërsa në momentin që konsiderojmë që kemi arritur informim të mjaftueshëm dhe shumica e personave pa shtetësi të cilëve u duhet ndihmë kanë paraqitur rastet e tyre atëherë do të fillojmë me analizë më të hollësishme të rasteve dhe ofrimin e asistencës të cilën ne do të mund ta ofrojmë”, potencon ai. Numri i personave pa shtetësi që deri më tani kanë paraqitur rastet e tyre në këtë platformë është mbi 200, por Bakiu paralajmëron se kjo fushatë në të ardhmen do të realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë duke detektuar persona në zonat rurale që kryesisht janë persona të moshuar që nuk kanë shumë qasje në internet, gjegjësisht dhe nuk dinë shumë mirë ta përdorin të njëjtën.
“Kemi parasysh se fushata është ende ne fillim dhe vetëm në formë mediatike, në periudhën e ardhshme fushata do të realizohet edhe në formë direkte, respektivisht duke detektuar persona në zonat ruralë që në forme direkte të shqyrtohet problematika e pashtetësisë pse arsyet e refuzimit (mos marrjes se shtetësisë). Numri i personave që kanë paraqitur problemin në këtë platformë është mbi 200 megjithatë ka persona të cilët kanë paraqitur problematikën edhe për familjarët e tyre dhe përpunimi i këtyre të dhënave është në procedurë, kurse poashtu persona të cilat na kontaktuan ne forme direkte, të cilat grumbullohen në formë të veçantë”, ka përfunduar për KOHA, Bashkim Bakiu, udhëheqës i Qendrës Analitike të ASH-së.
Asnjë institucion nuk e di numrin e saktë të qytetarëve që kanë lindur ose jetojnë prej vitesh në Maqedoninë e Veriut dhe u refuzohet shtetësia. Mirëpo, e sigurt është që kjo shifër është e lartë. Kërkesat për të fituar shtetësinë – refuzohen me arsyetimin se këto qytetarë janë “të rrezikshëm për shtetin” ose zgjaten pafundësisht. Qytetarët pa shtetësi nuk kanë të drejtë sigurimi shëndetësor, nuk kanë të drejtë vote dhe as të drejtë punësimi në institucionet shtetërore. Shtetësia është e drejtë elementare e garantuar me deklaratën universale të të drejtave të njeriut që asnjë qytetarë në botë nuk guxon të jetë pa nënshtetësi ndërsa këtu tek ne kemi dhjetëra mijëra raste dhe kryesish janë shqiptarë. (koha.mk)