Futbolli anglez mbyllet me finalen e FA Cup, Arsenal-Chelsea në Wembley!

0

Përgatiti: Alked Gjebrea

Të shtunën pasdite në kryeqytet përfundon sezoni 2019-20 i futbollit anglez dhe gjithcka do të mbyllet me duelin e zjarrtë Arsenal–Chelsea, prej nga ku do të përcaktohet edhe klubi fitues i trofeut të fundit të këtij edicioni, FA Cup. Bëhet fjalë për trofeun më të vjetër në planet, në rang klubesh dhe edicioni i sivjetshëm është i 139 në historinë e këtij kompeticioni. Privilegjin për të luajtur në takimin përmbyllës të këtij edicioni e kanë pra pikërisht dy skuadrat londineze, që për hir të së vërtetës kanë patur një ecuri vërtet shumë të ndryshme në këtë sezon. Derbi më i famshëm i Londrës vazhdon të konsiderohet dueli Arsenal – Tottenham, megjithatë me shpejtësi këtij rivaliteti po i afrohet gjithashtu edhe takimi Arsenal – Chelsea. Rivaliteti pas mesit të viteve 90 ndërmjet këtyre dy klubeve është rritur gjithmonë e më shumë, për më tepër finalja e sivjetshme në Kupën e Mbretëreshës Arsenal– Chelsea regjistrohet për herë të dytë në katër sezonet e fundit. Si për ta përforcuar një fakt të tillë ky duel tashmë shënon sfidën e tretë ndërmjet këtyre dy skuadrave të kryeqytetit anglez në mijëvjecarin e ri, pikërisht në Kupën e Federatës, apo Kupën që jep Football Association. Arsenali dhe Chelsea në fakt janë dy klubet më të suksesshëm të këtij aktiviteti në mijëvjecarin e ri, sepse nga viti 2000 si “topcinjtë” ashtu edhe blutë e kanë ngritur trofeun më të vjetër në glob përkatësisht nga 6 herë.

Deri 13 muaj më parë këto dy klube drejtoheshin nga trajnerë të tjerë, ndërsa tani fatin për t’u përballur në një finale të tillë e kanë Mikel Arteta dhe Frank Lampard, dy ish-kapitenë të këtyre skuadrave. Natyrisht Frenki ka lënë tjetër emër dhe gëzon një famë të jashtëzakonshme, për shkak edhe të disa rekordeve që lidhen ngushtë me jetëgjatësinë e tij sportive, kontributin si dhe besnikërinë ndaj bluve, sidoqoftë edhe Arteta ka vendin e tij modest në historinë e Arsenalit. Të dy si për ironi të fatit ish-mesfushorë, u rikthyen te klubet e tyre respektivisht nga Derby County dhe Manchester City, kështuqë ky është viti i tyre i parë në nivelin më të lartë të futbollit anglez. Të dy duhet të ndihen vërtet shumë mirë që janë rikthyer brenda një kohe fare të shkurtër pikërisht aty ku deri para pak vitesh luanin ende, një privilegj që pak trajnerë e kanë në ditët e sotshme. 42-vjecari londinez ka krijuar një lloj përvoje, duke luajtur në Superkupën Evropiane apo qoftë edhe në finalen e madhe të Wembley-t në play off, ku ekipi i tij Derby County u mund me Aston Vilën në finalen e sezonit të sjkuar në Championship, gjithsesi në krahun tjetër 38-vjecari bask ka një meritë të jashtëzakonshme për kualifikimin e Arsenalit deri në finalen e madhe në FA Cup. Pavarësisht luhatjeve të mëdha në kampionat, ku Arsenali e mbylli Premier League-n në vendin e tetë, Arteta po bën cmos për t’i kthyer klubit dinjitetin e humbur. Skuadra ka ndryshuar vërtet shumë që nga fundi i vitit të kaluar kur Arteta zëvendësoi bashkëkombasin e tij Unai Emery dhe mbi të gjitha “topcinjtë” tani kanë filluar një lloj sigurie në fazën mbrojtëse, që ishte sigurisht edhe pika më e dobët e ekipit. Kryevepra e sezonit do të mbetet pikërisht ndeshja me City-n ku 38-vjecari mundi mësuesin dhe frymëzuesin e tij, duke e sulmuar në faza të caktuara të lojës skuadrën e Guardiolës, pikërisht me armët e njohura të strategut katalanas.

Manchester City është kundërshtari i vetëm i fortë megjithatë që ka eliminuar ekipi i Arsenalit, ndërsa Chelsea në krahun tjetër ka marë përpara me radhë: Liverpulin, Lesterin dhe Manchester United në fazën gjysmëfinale, ku vlen të theksohet fakti që Frenki luajti me guxim, pasi kishte humbur që të trija përballjet e këtij sezoni me norvegjezin Ole Gunnar Solskjaer. Lampard ia doli për të përmbushur objektivin kryesor të klubit, pjesëmarrjen në Champions për sezonin e ardhshëm, kështuqë bashkë me ekipin e tij shkon i qetë në finalen e madhe. Arsenali dhe Chelsea përfaqësojnë dy nga tre klubet më të suksesshëm në Kupën e Federatës. “Topcinjtë” marrin pjesë për herë të 21 në një finale të FA Cup, ndërsa për “blutë” kjo është finalja e 14 gjithsej në historinë e klubit. Arsenali është klubi më i suksesshëm me 13 trofe në këtë kompeticion, ndërsa Chelsea e ka fituar kupën më të vjetër në rruzull 8 herë, ndërkohë mes tyre qëndrojnë “djajtë e kuq” të Manchester United me 12.

Të dy ekipet kanë ditur të fitojnë kur janë paraqitur në pengesën e fundit të këtij aktiviteti. Në këtë mënyrë Chelsea ka fituar 6 nga 8 finalet e fundit, në mijëvjeçarin e ri, ndërsa për po të njëjtën periudhë kohe “topcinjtë” kanë humbur vetëm 1 nga 7 finalet e zhvilluara në Kupën e Mbretëreshës. Natyrisht Lampard ka shumë më tepër alternativa dhe te blutë në dyshim është dyshja Willian–Kante, ndërsa Arteta në krahun tjetër do të mbështetet te ata futbollistë që ka, por është e qartë që do të vazhdojnë të mungojnë Bernd Leno dhe Shkodran Mustafi. Në finalen e vitit 2017 Arsenali i veteranit Arsene Wenger mposhti 2-1 Chelsea-n e Antonio Conte-s, sidoqoftë blutë kanë fituar 2 nga 3 sfidat e fundit ndërmjet tyre, ku përfshihet edhe finalja e sezonit të kaluar në Europa League, madje edhe në përballjen më të fundit në muajin janar ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Lampard shpërdoroi dy herë avantazhin e krijuar, në një takim që përfundoi në barazim 2-2. Finalja do të luhet në Ëembley, në orën 18:30 dhe do të drejtohet nga kryesori Anthony Taylor, sidoqoftë ndryshe nga blutë që mbeten favorit, “topcinjtë” janë nën presion, sepse nëse Arsenali dështon për të mundur Chelsea-n atëherë në mënyrë të kuptueshme ekipi i Artetës do të mbetet përfundimisht jashtë Kupave të Evropës./SuperSport