Arban Përlala, i njohur nga të gjithë me emrin e artit G Bani, ishte i ftuar në emisionin S’e luan Topi, ku ndau disa nga ngjarjet më të vështira të jetës së tij.
Këngëtari rikujtoi 7 janarin e vitit 1992 si një nga ditët më të errëta të jetës së tij. Ai tregoi se, ndërsa ndodhej në kioskë ku punonte, prindërit e tij i kërkuan të shkonte të merrte vëllain e tij, Erin.
“Shkova dhe e gjeta vëllain duke luajtur me një kushëri timin. I thashë kushëririt, që ishte më i madh se unë, se kisha ardhur të merrja Erin, por i kërkova edhe topin. Ai më dha një kapsollë dinamiti, që vinte nga magazinat e minierës në Rubik. Unë isha vetëm 11-12 vjeç dhe nuk e kuptoja rrezikun. Kapsolla ishte e lagur, ndaj u përpoqa ta ndizja, por nuk funksiononte. Kur shkova në shtëpi, ia preva fitilin dhe prapë nuk ndezi. Më pas, më erdhi një ide e çmendur: ndeza një zjarr dhe e hodha aty. Nuk pati një shpërthim të menjëhershëm, ndaj e ngacmova. Në atë moment ndodhi shpërthimi, që më dëmtoi syrin e majtë, duke më shkaktuar një katarakt traumatik në retinë”, rrëfeu ai.
G Bani tregoi gjithashtu një detaj befasues: kishte parë këtë ngjarje në ëndërr dhe ia kishte treguar babait të tij, i cili i kishte folur për një ushtar që kishte humbur jetën nga municionet.