Gabimet skandaloze të diplomacisë shqiptare: Pse toponimet sllave?!

0

Pas ndërhyrjes nga Maqedonia e Veriut, ministri për Pune te Jashtme i Shqipërisë, z. Gent Cakaj përmirëson gabimin me toponimin.

Dje, ministri për Punë të Jashtme i Shqipërisë, z. Gent Cakaj, kishte postuar lajmin në lidhje me hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë. Mes tjerash ai kishte potencuar se rrethi konsullor i kësaj qendre do të përfshinte Strugën, Ohrin, Manastirin, Kërçovën, Dibrën dhe Resnjën/rajoni i Liqenit të Prespës. Por, ministri në fjalë, në vend se të shkruante Resnja e kishte shkruar Reseni (toponimin e kishte vendosur në gjuhën sllave).
I shpejtë ishte edhe reagimi nga shumë njerëz, të cilët kritikuan ministrin për gabimin e bërë me toponimin. I pari që reagoi publikisht në faqen e facebookut të ministrit ishte Ardian RAMADANI nga Kumanova, përkthyes në Ambasadën e Francës në Shkup, asistent hulumtues në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup dhe përkthyes dhe profesor i frëngjishtes në Institutin Francez në Shkup.
Ardiani është i njohur edhe si autor i 5 librave, recensent dhe publicist. Pas ndërhyrjes së Ardianit, stafi i ministrit në fjalë kishte përmirësuar këtë gabim skandaloz.
Ju sjellim si dëshmi reagimin e bërë.
Gabimet e tilla, të bëra nga diplomacia shqiptare, e posaçërisht me toponimet, në kohën kur luftohet me mish e me shpirt për mbrojtjen e gjuhës amtare, janë skandaloze.
Kjo dëshmon për të satën herë me radhë se angazhimi i profesionistëve në shërbimet diplomatike është më se i domosdoshëm.(INA)