Gashi: Çfarë ishte Besa, çfarë ndodhi në të vërtetë?

0

Mbi 70 vjet dominim të së majtës në trojet shqiptare kanë bërë që gati të gjitha proceset dhe dukuritë, qoftë politike, morale, doktrinore ose edhe kulturore, të definohen nga prizmi ideologjik i majtizmit enverist dhe titist. Rrjedhimisht, edhe në diskursin për nacionalizmin shqiptar ka shkarje të theksuara, për shkak se sot edhe në elitat akademike, por edhe hapësirën mediatike e politike, dominon qasja majtiste mbi kombin dhe nacionalizmin”, thotë Gashi, njofton Shenja.

SHENJA: Po fillojmë me një pyetje paksa më specifike. Pasi që vini nga bota e artit, a ju duket politika art apo është vetëm se një klishe?

GASHI: Kur parashtrohet pyetja, në të cilën përfshihen arti dhe politika, nuk mund të mos citohet “kancelari i hekurt” gjerman Bismark, i cili ka bërë ndërlidhjen më të bukur mes artit dhe politikës dhe ka dhënë një definicion të shkurtër, por shumë të qartë dhe gjithëpërfshirës:“Politika është arti i së mundshmes”. Shikuar nga perspektiva ime, duke ardhur në politikë nga një botë e artit dhe pas disa viteve në politikë mund të them se politika është art përmes të cilit mund të bëni shumë gjëra të bukura e të mira, ta ndihmoni shoqërinë, t’i ngrini lart vlerat arsimore, kulturore, morale e familjare, por sikurse edhe të gjitha “mjetet” e tjera, po ra politika në dorë të njerëzve të padenjë për atë mjet, ajo mund të keqpërdoret dhe të shkaktojë shumë dëm. Është diçka e ngjashme si puna e thikës së kuzhinës, e cila është mjet i domosdoshëm për tryezën e bukës, por kur ajo është në dorë të kriminelëve, përdoret për të vrarë një njeri tjetër. Kur je artist, të duhet një material ose mjet tjetër për të prodhuar art… për muzicientët janë instrumentet, për piktorët pëlhura e ngjyrat, për aktorët skena etj., ndërsa materiali i duhur në politikë për të prodhuar art janë njerëzit. Besoj se e keni të qartë se me çfarë “materiali” të ndjeshëm punojnë politikanët! Por, po qe një artist në politikë dhe ai arrin krijon gjëra të bukura, atëherë ky “material” i ndjeshëm bëhet aq i lumtur, saqë në asnjë mënyrë tjetër nuk do të mund ta arrinte një kënaqësi e tillë.

SHENJA: Ju keni qenë themelues i Lëvizjes Besa. Çfarë ishte Besa, çfarë ndodhi në të vërtetë?

GASHI: Ja që po dalim menjëherë në pjesën e errët të politikës dhe rasti i Lëvizjes Besa është pikërisht një rast i cili mund të shpjegohet me shembullin më lart, kur thikën e kuzhinës ia jepni në dorë një krimineli. Sidoqoftë, Lëvizja Besa para se të shndërrohet në një organizatë politike ajo ka qenë një shkëndijë në mendjen time dhe të mikut tim, Zeqirija Ibrahimi. Fillimisht Besa ka qenë një shqetësim shpirtëror i joni, i cili pas shumë përpjekjeve shpirtërore, u shndërrua në një krijesë intelektuale, duke u derdhur në një platformë politike, por mbi të gjitha ajo gjatë kohë ishte një ide në kokën dhe shpirtrat tanë, pra para se të shndërrohet në prodhim intelektual. Më pas, me ndihmën e shumë shokëve të sinqertë e të pasinqertë, ajo u zhvillua shumë shpejt në një organizatë serioze politike deri kur disa, që kishin ardhur këtu me “thikat e kuzhinës” për ta vrarë këtë ide, pikërisht në vitin 2018 ia vunë thikën në fyt kësaj krijese,duke ia derdhur gjithë “gjakun” që ajo e kishte akumuluar për disa vite. Tash Besa është vetëm një vulë në dorën e atyre që e kanë rrëmbyer prodhimin më të bukur intelektual të jetës sime dhe nevojën më të madhe shpirtërore që kam pasur ndonjëherë. Por, gjithnjë duke u bazuar në thënien e Bismarkut se politika është arti i së mundshmes, pasi gjykatat politike, të korruptuara dhe të kriminalizuara të Maqedonisë së Veriut, duke qenë vegla në dorën e politikanëve edhe më të kriminalizuar e të korruptuar, na pamundësuan ta përdorim emrin që ne ia kemi vënë “fëmijës” që e kemi lindur, pra të Lëvizjes Besa, ne gjetëm një emër tjetër dhe këtë krijesë politike, këtë organizatë të gjallë dhe vitale, vendosëm ta quajmë “Alternativa”. Me rëndësi për neve është se ideja që kishte lindur në kokat tona dhe ishte brumosur me aq dashuri për disa vite me radhë, tash vazhdon me të njëjtat cilësi e parime, por vetëm me një emër tjetër, duke e bartur në vete edhe formulën ose ADN-në identitare të subjektit tonë politik 3A-të (Autentik, autokton dhe autonom) pikërisht në emrin “AlterAtivA”.

SHENJA: Kur u zgjodhët kryetar i Lëvizjes Besa, në periudhën kur mbretëronte një klimë e fortë e përplasjes politike, përkundër kësaj ju filluat t’i takoni të gjithë liderët politik të skenës, duke përfshirë edhe kryetarin e sapozgjedhur të VMRO-së Hristijan Mickoski. Këtë diskurs dhe politikëbërje vazhdoni ta promovoni si qasje pozitive edhe përbrendësuese politike, duke u përpjekur të shfaqni një dimension më human të politikës. Për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë?

GASHI: Organizata jonë politike në shkurt të vitit 2018 e organizoi kongresin e saj të parë, në të cilin unë u zgjodha kryetar i partisë. Dhe, pikërisht në fjalimin tim të parë unë paralajmërova se do të krijojmë një diskurs të ri politik dhe do të kultivojmë një kulturë të re politike, e cila nuk do të jetë e orientuar vetëm nga elektorati dhe opinioni, por edhe ndaj rivalëve tanë politikë. Unë në atë fjalim thash se do të kërkoj të takohem me të gjithë liderët politikë të vendit, me qëllim të përmirësimit të klimës politike dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet elektorateve tona politike. Andaj menjëherë pas kongresit fillova ta zbatoj atë që e premtova në kongres dhe zhvillova takime gati me të gjithë liderët, përveç me ata të cilën nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesës sonë për takime. Dimensioni human i këtij diskursi qëndron në faktin se gati pa përjashtim konfliktet më të mëdha në vend, por edhe ato brendashqiptare e brendafamiljare, kanë ndodhur për shkak të elektrizimit partiak, që liderët ose partitë politike e kanë ushqyer me votuesit e tyre. Qëllimi i tyre ka qenë i qartë–duke e elektrizuar situatën ose duke e radikalizuar fjalorin ndaj kundërshtarëve, ashtu i kanë krijuar militantët partiakë, ndërsa ata pastaj i kanë krijuar celulat partiake dhe votuesit besnikë, duke qenë të bindur se e vërteta qëndron vetëm në dorën e liderit të tyre, ndërsa të gjithë të tjerët janë “tradhtarë”. Një qasje e tillë në politikë më ka penguar gjithmonë. Prandaj bashkë me miqtë e mi dhe kolegët në parti vendosëm të fillojmë të ndërtojmë një qasje të kundërt me këtë, e cila nuk do ta baltosë kundërshtarin, por do të orientohet drejt vetes, që të bëhet sa më e mirë dhe të prodhojë politika sa më të dobishme për qytetarët. Ne jemi të bindur se një diskurs i tillë do t’i relaksojë marrëdhëniet mes qytetarëve, në përgjithësi, por edhe brenda shqiptarëve dhe brenda familjeve shqiptare, në veçanti. Jemi të vetëdijshëm se kjo qasje nuk sjellë militant partiakë dhe rejting të shpejtë, siç jemi edhe të bindur se kjo sigurisht do të kontribuojë në ngritjen e kulturës politike dhe do ta sforcojë dimension e komunikimit ndërnjerëzor në shoqëri.

SHENJA: Maqedonia e Veriut është në pritje të datës së rekomandimit për bisedime nga BE-ja. A pritet që kjo datë të arrihet në shtator, meqë nuk u mor në qershor dhe, nëse jo, si do të ndikojë gjithë kjo në politikat e brendshme?

GASHI: Maqedonia e Veriut në vitin që shkoi ka bërë dy marrëveshje historike dhe shumë të rënda për rrethana të Ballkanit dhe jo vetëm. U mbyll një kontest shumë i ndjeshëm me Bullgarinë dhe u përmbyll një tjetër kontest me Greqinë, që ishte edhe më i rëndë,sepse i prekte edhe çështjet identitare dhe emrin e shtetit. Pas këtyre kompromiseve, vendi ynë në raportin e Komisionit Evropian u cilësua si “shembull shkëlqyes” në rajon dhe, rrjedhimisht, pas këtyre kompromiseve, pritej që Maqedonia e Veriut ta merrte ftesën për anëtarësim në NATO dhe ta merrte datën për fillim të negociatave për aderim në BE. E para, pra ftesa për NATO, u realizua dhe aktualisht vendet anëtare të NATO-s po e ratifikojnë marrëveshjen për aderim dhe deri në fund të vitit Maqedonia e Veriut shpresojmë se do të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Ndërsa, sa i përket datës për fillim të negociatave për aderim në BE, kemi një ngecje. U premtua se qershori do të jetë muaji që do ta sjellë këtë datë, por kjo nuk ndodhi. Premtimi i radhës është që në tetor do ta marrim datën për fillim të negociatave dhe nga fundi i vitit do të fillojnë të hapen negociatat rreth kapitullit 23 dhe 24. Qytetarët e vendit, pa përjashtim, presin që të mos prolongohet edhe një herë tjetër kjo, sepse do të shkaktonte tërmet politik në vend dhe do ta rriste shumë euroskepticizmin te qytetarët. Nëse për 30 vjet me radhë orientimi strategjik i të gjitha partive ka qenë BE-ja dhe nëse tash qytetarët e ndjejnë se po mbyllet ky shteg, atëherë vërtet kjo mund të hap shtigje të reja dhe në kohën e divergjencave të këtilla brenda në shtet mund të ketë edhe përplasje më të mëdha. Megjithatë, unë jam optimist se deri në fund të vitit ne do të bëhemi anëtarja e 30-të e plotfuqishme e NATO-s dhe përfundimisht do jemi një vend i cili i ka filluar negociatat për aderim në BE.

SHENJA: Le të flasim pak për rajonin. Shqipëria ndodhet para një ngërçi politik, i cili po manifestohet me protesta të vazhdueshme të opozitës ndaj qeverisë. Në Kosovë, pas anulimit të konferencës së Parisit, do kemi edhe një prolongim të temës së statusit final të Kosovës. Si i komentoni zhvillimet në Kosovë e Shqipëri në raport edhe me zhvillimet në Maqedoni?

GASHI: Asnjë shqiptar, kudo qoftë ai, nuk është i kënaqur kur e sheh atë çfarë po ndodhë në Shqipëri e Kosovë, po edhe në Maqedoni të Veriut. Aq më tepër që në Shqipëri aktualisht është gjendja më alarmante për shkak të protestave të opozitës kundër pushtetit. Pa hyrë në detaje se kush ka të drejtë, për çdo shqiptar është e dhimbshme ajo që po ndodhë në Shqipëri. Askush nuk e dëshiron një Shqipëri të tillë, të futur në krizë të thellë, sidomos kohëve të fundit, kur u ngritën “shpatat” e opozitës e pushtetit deri në nivelin e përplasjes së dhunshme të tyre, gjë që do rezultonte me pasoja të mëdha për vendin dhe qytetarët e do ta kthente Shqipërinë në fillim të viteve të ’90-ta, përkatësisht në 1997-tën. Fatmirësisht, 30 qershori kaloi qetë dhe kështu u kalua edhe një sfidë e rëndë për Shqipërinë. Mbeti vetëm shija e hidhur se në një vend demokratik, vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE, zgjedhjet zhvillohen pa opozitën.

Sidoqoftë, kur jemi te rajoni dhe problemet mbarëkombëtare, sidomos këto aktuale, nuk guxojmë të shfaqim papjekuri si komb, duke e rrënuar ose kthyer mbrapa shtetin dhe kombin shqiptar vetëm për hir të tekave të caktuara personale, grupore ose edhe partiake. Mendoj se, për fat të keq, ende nuk kemi ndërtuar ndjesi më të lartë për shtetin dhe shtetësinë. Problem tjetër është që politikanët, që për momentin udhëheqin me shtetet shqiptare, duhet të ngrihen në shkallën e burrështetasve dhe të ndërtojnë agjenda të përbashkëta, duke e definuar dhe ndarë qartë interesin shtetëror e kombëtar nga ai partiak e grupor. Një problem tjetër, kronik sipas meje, me politikën shqiptare është edhe niveli i kulturës politike dhe mjetet që janë zgjedhur për ta bërë betejën politike me kundërshtarin përkatës. Në fakt, prej viteve të 90-ta, kur demokracia filloi të gjejë shtrat në viset shqiptare, ne kemi kultivuar një kulturë politike, e cila qoftë në komunikim, qoftë në proces zgjedhor, kundërshtarin politik e prezanton si armik të popullit e si tradhtar, andaj edhe militantizmi i këtillë sjell në pikën kur liderët që kanë ushqyer një frymë të këtillë nuk mund të kthehen mbrapa as edhe prej njerëzve në radhët e tyre, sepse përplasja dhe animoziteti ndërkohë ka marrë përmasa të pakthyeshme. Zakonisht, deri tani, përfitimet ose pasojat i kanë paguar pikërisht militantët partiakë, ata që i kanë besuar liderit se duhet të bëhet çmos që të përmbyset tjetri. Andaj, mendoj se është koha e fundit që në skenën politike mbarëkombëtare të vijë një brezi ri politikanësh, të cilët politikën e shohin si garë pozitive të vlerave të caktuara që promovon njëra ose tjetra proveniencë politike, ideologjike ose edhe kombëtare.

SHENJA: Kohëve të fundit në skenën politike mbarëkombëtare kemi një shkarje diskursi të nacionalizmit shqiptar drejt kornizimit të ideologjive politike, herë drejt të majtës dhe e herë të djathtës. Në nivel mbarëkombëtar, a mendoni se duhet të ketë një koordinim të partive me profilizim të ngjashëm ideologjik?

GASHI: Nëse do ta analizoja skenën politike mbarëkombëtare shqiptare në përgjithësi, por edhe nga prizmi i ngjarjeve aktuale në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dhe nëse duhet ta definojmë atë në mënyrë sa më koncize, unë do thosha se niveli i demokracisë dhe i kulturës politike në trojet shqiptare është në një “pubertet” demokratik! Nisur nga kjo, edhe kur flasim për dallimet ideologjike mes partive në trojet tona, është rëndë të definohen ato saktë dhe të përkufizohen drejt. Në të vërtetë, mund të konstatohen me lehtësi se, si rezultat i prezencës për një kohë të gjatë të komunizmit, ose majtizmit më ekstrem në Shqipëri dhe atij pak më të butë në ish-Jugosllavi,që ndryshe tipizohet si enverizëm dhe titizëm (këto përkufizime janë të njohura dhe trajtohen si të tilla edhe në politologji), sot në të gjitha trojet shqiptare elitat politike dhe intelektuale janë në thelb të majta, ndërsa dallimet mes tyre janë vetëm në nuancat e së majtës. Mbi 70 vjet dominim të së majtës në trojet shqiptare kanë bërë që gati të gjitha proceset dhe dukuritë, qoftë politike, morale, doktrinore ose edhe kulturore, të definohen nga prizmi ideologjik i majtizmit enverist dhe titist. Rrjedhimisht, edhe në diskursin për nacionalizmin shqiptar ka shkarje të theksuara, për shkak se sot edhe në elitat akademike, por edhe hapësirën mediatike e politike, dominon qasja majtiste mbi kombin dhe nacionalizmin. Për të qenë shkarja edhe më e thellë, mund të shtohet fakti se në teorinë mbi ideologjitë është e qartë se “e majta” nuk është te kombi dhe te nacionalja, por te internacionalja, ndërsa vetëm e djathta është ideologjia e cila kultivon ndjenjën për kombin dhe e trajton atë si një vlerë rreth së cilës mund të organizohen shoqëritë ose pjesët e shoqërisë për ta realizuar një koncept mbi shtetin ose shoqërinë. Andaj, mendoj se sot skenës politike shqiptare në të gjitha trojet i mungon e djathta e mirëfilltë shqiptare, e cila edhe do të kultivohej më shumë dhe më drejt, por edhe do të zhvillonte një komunikim më të mirë mes subjekteve të djathta në gjithë hapësirën mbarëkombëtare. Edhe pse sot një qasje e djathtë mbi kombin nga majtistët shihet si një tradhti kombëtare ose si një syth që do ta prishte indin kombëtar, megjithatë unë jam i bindur se një qasje e djathtë vetëm do ta pasuronte skenën politike shqiptare, do ta ngrinte nivelin e kulturës politike dhe do ta bënte demokracinë në hapësirat tona të jetë më e pjekur dhe më shtetformuese. Këtë që e them, nuk është vetëm një përfundim nga ndonjë analizë empirike politike, por një ndjesi që e kam përjetuar vet gjatë kohës që po merrem me politikë. Vetëm pse ndërtuam një subjekt politik me nuanca të së djathtës shqiptare, vetëm pse zhvillimin e kombit dhe të shqiptarëve e shohim nga një prizëm më djathtist, neve na etiketuan me etiketa të ndryshme, që nënkuptonin se ne si subjekt gjoja po e rrezikuakemi indin shqiptar. Ndërkaq, duke konstatuar se shqiptari i Maqedonisë po përfaqësohet nga një klasë politike e cila është e kundërt me vlerat që shqiptarët i kanë kultivuar këtu ndër shekuj dhe i kanë ruajtur edhe në kohën e regjimeve komuniste jugosllave e titiste, ne krijuam një subjekt politik i cili vetëm do ta artikulojë politikisht këtë identitet dhe do t’i kultivojë këto parime dhe vlera, të cilat në fakt kanë qenë pikërisht ato që kanë qenë vendimtare për ruajtjen e identitetit kombëtar këtu në trojet e Maqedonisë së Veriut ku jetojnë shqiptarët.

Ndërkaq, kur jemi te komunikimi dhe koordinimi mendoj se e majta shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është shumë mirë e koordinuar, madje ato shpesh i përdorin edhe resurset shtetërore për ta përkrahur një parti simotër në vendin tjetër, vetëm e vetëm që ata të vazhdojnë të mbeten në pushtet mbi shqiptarët. E keqja e kësaj qëndron në faktin se koordinimi dhe komunikimi nuk bëhet për ndonjë interes shtetëror dhe kombëtar, por rëndom për interesa të biznesit dhe të klaneve të ndryshme politike. Ndërkaq e djathta shqiptare mendoj se ende nuk është e konsoliduar mirë në djathtizmin e vet, por më e keqja është se nuk ka as komunikim të mirëfilltë mes saj.

SHENJA: Si i shihni marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me fqinjët dhe vendet e rajonit, kryesisht me Greqinë, Bullgarinë dhe Turqinë?

GASHI: Maqedonia e Veriut është një shtet në një pozitë shumë interesante gjeopolitike, kështu që edhe marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe me shtetet e rajonit janë më se të rëndësishme edhe për vet shtetin në veçanti,por edhe për rajonin në përgjithësi. Pasi qeveria e Zaevit hyri shumë fuqishëm në procesin e zgjidhjes së kontesteve të hapura me fqinjët, sidomos ato me Greqinë dhe Bullgarinë, kam ndjesinë se kjo qeveri, prej këtyre dy shteteve, përmes këtyre marrëveshjeve ka arritur që prej “armiqve” të bëjë miq shumë të mirë, të cilët do të jenë përkrahësit më të mëdhenj të vendit tonë në zhvillimet e ndryshme, aq më tepër në proceset euro-integruese që janë të rëndësisë vitale për Maqedoninë ë Veriut. Sa i përket Turqisë, ai shtet është një mik i madh i kombit shqiptar, në përgjithësi, dhe i Maqedonisë së Veriut gjithashtu. Ky vend e ka njohur i pari pavarësinë e vendit dhe ka qenë në ndihmë të vazhdueshme në të gjithë proceset dhe krizat që i ka ndjerë vendi në të kaluarën. Ne jemi mirënjohës dhe shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe përkrahjen që na e ka dhënë Turqia edhe në kohën e pavarësimit të Maqedonisë nga Jugosllavia, por edhe në luftën e Kosovës. Ky shtet dhe ky komb ka vazhduar të bashkëndjejë me dhimbjen tonë dhe gjithnjë na ka dalë në ndihmë dhe na ka mbështetur edhe në rrugën euroatlantike, që vendi jonë ende po rrugëton.

Koncepti im mbi relacionet me fqinjët është se ai duhet të jetë më i hapur, më i sinqertë dhe në drejtim të krijimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve më intensive në të gjitha sferat,veçmas në ekonomi, arsim, shëndetësi, bujqësi, kulturë, komunikacion, media etj. Shekulli XXI i ka sfidat e veta dhe duhet të përballet me mjete të tjera, kështu që ne nuk guxojmë që problemet e shekullit XIX e XX dhe mjetet e përdorura atëherë të na shndërrohen në pengesë për t’i tejkaluar sfidat e së sotmes në kurriz të së kaluarës. Thonë se e kaluara është mësimi më i mirë për të ardhmen dhe se ata që nuk mësojnë nga e kaluara janë të destinuar që t’u përsëriten problemet, megjithatë unë mendoj se kemi mësuar mjaft nga e kaluara, por aspak nuk po mësojmë nga e tanishmja. Bota e përparuar ka shkuar shumë larg në të gjitha aspektet zhvillimore, ndërsa ne ende nuk mund të zgjidhim probleme esenciale të komunikimit me fqinjët. Vetëm ata që kanë mungesë vetëbesimi frikësohen nga tjetri. Prandaj unë nuk dua që gjenerata jonë të mbetet peng i së kaluarës, por dëshiroj të hapërojë guximshëm drejt së ardhmes. Ne jemi komb i ri, shumë vital dhe me shumë predispozita për të qenë kombi më i rëndësishëm për rajonin e më gjerë.Mjafton që elitat politike t’ua lirojnë rrugën të rinjve, që aktualisht studiojnë e punojnë jashtë vendit dhe ata do ta realizojnë ëndrrën tonë për të qenë boshti i së mirës në këto troje.

SHENJA: Së fundmi keni qenë për vizitë në SHBA. Cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite dhe çfarë mendoni për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

GASHI: Shteti dhe kombi amerikan kanë qenë dhe mbeten partneri më i rëndësishëm strategjik i shqiptarëve dhe i Maqedonisë së Veriut. Në momentet më kritike të formimit të shteteve tona, edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës, por edhe të Maqedonisë,SHBA-ja ka qenë aktori kryesor dhe shteti që më së shumti na ka ndihmuar në realizimin e aspiratave tona për shtetësi e pavarësi. Duke qenë falënderues dhe mirënjohës,shqiptarët mundohen gjithnjë të kultivojnë marrëdhënie të mira me SHBA-në. Në këtë frymë ishte edhe vizita ime e fundit në këtë vend. Përveç takimeve zyrtare në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin Amerikan, kisha takime edhe me përfaqësues të pushtetit lokal atje,si dhe me shqiptarët e mërgatës në Amerikë. Duke qenë të vetëdijshëm se shqiptarët në Amerikë janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj të kombit, edhe në të kaluarën edhe sot, e shfrytëzova rastin që të qëndroj pranë tyre dhe t’i falënderoj për kontributin e deritanishëm dhe shfaqa gatishmërinë që të jemi gjithmonë pranë tyre për t’i dëgjuar këshillat e sugjerimet e tyre për zhvillimin e vendeve tona këtu.