Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka reaguar pas kërcënimit që i është bërë kreut të ASH-së, Arben Taravari, duke i vendosur atij një plumb në oborrin e shtëpisë.
Gashi shkruan se solidarizohet me familjen e Taravarit, duke shtuar se nuk ka plumb që e vranë vullnetin e popullit për ndryshim.
“Kërcënimi ndaj kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përtej traumës familjare dhe shijes së hidhur personale për të, që sigurisht është për keqardhje dhe empati të shkallës më të lartë, më shumë flet për mentalitetin tribal të atyre që mendojnë se vendimet politike mund t’i orientojnë me dhunë. Ata harrojnë se nuk ka plumba që mund ta vrasin vullnetin e popullit për ndryshim. Por, ne si as shoqëri nuk mund të lejojmë që tash, kur jemi në prag të hapjes së negociatave për aderim në BE, demokracinë tonë ta vrasin vagabondët.
Duke shprehur keqardhje dhe solidarizim me familjen e Dr. Arbenit, shpreh mbështetjen time dhe të Alternativës për të dhe familjen e tij.
Natyrisht, presim që organet e rendit dhe drejtësisë ta bëjnë punën e tyre”, ka shkruar Gashi në rrjetin social facebook.