Gazetarët serbë në grevë urie, kërkojnë më shumë para nga Serbia

Rreth 30 punëtorë të pakënaqur të mediave nga Graçanica dhe Mitrovica e Veriut e ngrinë grevën e urisë, vetëm disa orë pasi e filluan atë.

Ata njoftuan se greva “ngrihet për shkak të situatës komplekse” në Kosovë, me të cilën Serbia, siç thanë, “lufton çdo ditë për mbijetesën e popullit serb”.

Ata thanë se deri më 5 dhjetor do t’u japin përparësi bisedimeve për përmirësimin e pozicionit të tyre.

Bëhet fjalë për punëtorët e ndërmarrjes publike Rrjeti Ura (Mrezha Most), me seli në Beograd, e cila është themeluar në vitin 2010 me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Kjo ndërmarrje bashkon tri televizione dhe tri radiostacione, të cilat raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë: TV Most nga Zveçani, Radio dhe TV Puls nga Shillova, Radio Mitrovica e Kosovës dhe Radio dhe TV Graçanica.

Ndryshe, përveç këtyre mediave, në gjuhën serbe në Kosovë raporton edhe Televizioni Publik i Kosovës (RTK), si dhe kanale tjera televizive lokale, radiostacione dhe portale, të cilat kryesisht janë krijuar me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim të informimit të komunitetin serb./rel