Gazetari gjerman replikon me Ramën: Padi sepse kam fyer “lartmadhërinë”? Kasetat janë origjinale

0

Gazetari gjerman, Peter Tiede ka replikuar me kryeministrin Edi Rama, pasi ky i fundit paralajmëroi se do e padisë në Gjermani për shkak të publikimeve të përgjimeve nga dosjet 339 dhe 184.

Duke ironizuar Ramën nëse ‘madhëria e tij’ është fyer nga përgjimet, Tiede thekson se kasetat janë origjinale. Ai thotë gjithashtu se gjykatat në Shqipëri nuk funksionojnë, ndaj Rama do e dërgojë padinë në Gjermani dhe i bëhet qejfi që kryeministri shqiptar e pranon këtë fakt.

“Z. Kryeministër, ju doni të më padisni? Për shkak se kam fyer lartmadhërinë, apo pse? Kasetat janë origjinale. Apo dyshoni për materialin e prokurorëve tuaj? Në Shqipëri, ju nuk mund të më paditni: cila gjykatë funksionon? Jam i lumtur që e pranove…”, replikon Tiede me Ramën.

Sot u publikua një audio-përgjim i Ramës me Arben Keshin, drejtor në Ministrinë e Brendshme, si dhe disa audio-përgjime të tjera ku përfshihen Damian Gjiknuri, ish-ministër i Energjisë, dhe Pjerin Ndreu, ish-deputet i PS.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të nisë një luftë ligjore me gazetarin e gjermanes ‘Bild’, Peter Tiede, i cili ka publikuar materiale nga dosjet 184 dhe 339 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sot u publikua edhe një audio-përgjim i Ramës me Arben Keshin, drejtor në Ministrinë e Brendshme.

Por kryeministri shqiptar thotë se do e çoj në gjykatat gjermane gazetarin Tiede për të parë kush ka të drejtë në këtë histori.

“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, shkruan Rama.