Gazetari i mirëfilltë e ndryshon botën

0

Arbër Çeliku

Skena e dhunimit shtazarak të Veronit nga truprojat e HTH-së dje, m’i zgjoi sekuencat e fjetura filmike të kohës së okupimit serb në Kosovë.

E njëjta dhunë, cenimi i njëjtë i të drejtave themelore të njeriut, ndrydhja e njëjtë harbute e fjalës së lirë, tmerri i njëjtë mu në mes kryeqytetit dardan, dhe e njëjta indiferencë institucionale e kreut të shtetit (HTH), i cili as që e ktheu kokën ndaj kësaj vepre barbare, që ia bënë langonjtë e tij një të riu kosovar, në moshë sa djali i tij.

Mbarë opinioni publik u solidarizua me Veronin, madje dhe me të drejtë e shpallën hero, por pa gazetarin e “Indeksonline” (emrin të cilit nuk ia di), askush nga ne nuk do ta kishte marrë vesh këtë akt shtazarak, kurse Veroni mund ta kishte pësuar edhe më keq.

Akt guximi dhe profesionalizmi të pashoq se si e filmonte ai skenën e turpshme të sigurimit të HTH-së. Me gjithë kanosjen e vazhdueshme, ai nuk e lëshoi kamerën nga duart, gjithë krenari thoshte: “Jam gazetar, largohuni!”

Ai na e ofroi realitetin tonë të dhimbshëm shoqëror, ai na e shpalosi domethënien e ‘bishës njeri’, të veshur me petkun institucional, të cilin ne e ushqejmë për të na rrahur paq. Kur them se gazetari i mirëfilltë e ndryshon botën, e kam fjalën për gazetarin e këtij lloji, i cili nuk bën kompromis me asgjë, kur është në pyetje profesioni, e vërteta dhe interesi shoqëror…