Gazetari Mahi Nesimi padit Maqedoninë: Lustrimi im kishte prapavijë politike

Ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, Mahi Nesimi, sot në Gjykatën Civile në Shkup, parashtroi padi kundër Maqedonisë së Veriut, sepse, siç tha, është dëmtuar shumë me vendimin e Komisionit për Verifikim të Fakteve.

Pas seancës së parë gjyqësore në Gjykatën Civile, Nesimi theksoi se me vendimin e Gjykatës Administrative, ai është shpallur i pafajshëm dhe në bazë të kësaj sot ka dorëzuar padi për kompensim të dëmit të shkaktuar.

“Nuk dua të them asgjë, nuk dua të prejudikoj asgjë, siç nuk thosha as gjatë 7-8 viteve të gjykimit në Gjykatën Administrative. Unë kërkova një dëmshpërblim të arsyeshëm duke pasur parasysh atë se çfarë dëmi më është shkaktuar jo vetëm mua, por edhe gjithë familjes. Regjimi i atëhershëm prodhoi inkuizitorë, ndërsa tani është e radhës shteti atë veprim të regjimit të inkuizitorëve ta paguajë. Mendoj se lustrimi im kishte prapavijë politike, kjo është dëshmuar edhe në gjykatë”, deklaroi Nesimi.