Gazetarja mesazh disa mërgimtarëve: “Nëse s’ju pëlqen vendi ynë, pse ktheheni more?

Portali Infoshqip ka rishpërndarë një postim të gazetares Erjona Rusi lidhur me mërgimtarët (emigrantët) që kthehen në vendlindje nga vendet e jashtme.

Porosia e saj ka bërê bujë në rrjetet sociale ku ajo e ‘revoltuar’ u kthen përgjigje të gjithë atyre që vijnë dhe e quajnë Shqipërinë të shëmtuar.

Reagimi i plotë i saj:

“Ndersa avioni i afrohej Rinasit, degjoj nje shqiptare nga keto qe jeton ne Angli: Sa qytet i shëmtuar është (referuar Tiranës). Një pyetje kam për ju që vini çdo verë: Kur s’ju pëlqen, pse ktheheni more? Na lini rehat neve që jetojmë këtu në këtë “shëmtinë” tonë.

Se nuk e di për ju, por unë nuk i ndërroj me asnjë vend të botës rrugicat e Shkodrës, qetësinë e Shirokës, rërën e Velipojës, magjepsjen e Valbonës, lartësinë e kanioneve të Osumit, mëngjesin e Livadhit, ngjyrat e Dhërmiut, gurgullimën e lumit të Shalës, aventurën e Thethit, freskinë e Dajtit, rrugicat e Liqenit, shëtitjen e pedonales, bardhësinë e Voskopojës, madje madje as atë kafenenë e përhershme që më është bërë si shtëpi e takoj njerëzit më të dashur.

Se ngado që shkoj, edhe pse mahnitem, prap mezi pres të kthehem te ajo kafene e tek gjithçka që është e imja po aq sa e juaja”– kishte shkruar Erjona Rusi./infoshqip.com