Gent Cakaj letër kompanisë Apple: Vendoseni Kosovën në hartë!

0

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, i ka dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, Tim Cook.

Me anë të kësaj letre, Cakaj i kërkon këtij të fundit marrjen e masave të nevojshme, për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps.

“Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj”, – theksoi Cakaj në një postim në Facebook.

Më tej, Cakaj shprehu se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës, në mënyrë të pakushtëzuar e në çdo rrethanë.