Gërxhaliu: Mbyllja nuk është zgjidhje, duhet një fond gjithëpërfshirës që mbështet të gjithë sektorët

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mbyllja nuk është zgjidhje, duke shtuar se pakoja për rimëkëmbje ekonomike është e nevojshme për shpëtimin e bizneseve.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që më e mira që i ka ndodhur Kosovës është që më në fund ka institucione stabile të dala nga vota e qytetarëve. Në rend të dytë dua të besoj që një vendim i tillë është i bazuar në analizë, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe besoj që kishte me qenë më e rrugës që të kemi një pako për rimëkëmbje sepse i duhet Kosovës. Efektet e mbylljes do të jenë evidente. Por dua të besoj që duhet të mendohet edhe opsioni tjetër çka është e kundërta e mbylljes sepse mbyllja nuk mund të jetë zgjidhje e problemeve në Kosovë”, shtoi Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se duhet një fond gjithëpërfshirës, i cili do ta mbështesë të gjithë sektorët.

“Duhet një fond gjithëpërfshirës i cili do ta mbështesë edhe gastronominë edhe sallonet e dasmave edhe hotelet edhe transportit publik. Prandaj Kosovës i duhet një infuzion financiar si ndihmë për sektorin privat sepse deri më tani është bërë shumë pak dhe nuk mund të pajtohem me qëndrimet e Bankës Botërore që thotë se Kosova do të ketë rritje për 4% për vitin 2021 dhe Kosovës i duhen dy vjet për rimëkëmbje. Kosovës i duhet ndihmë më konkrete dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti duhet t’i ketë prioritete e ndara në tri etapa: emergjent, afatshkurtër dhe afatgjatë.