Fitorja e Zvicrës ka krijuar emocione të mëdha dhe është festuar nga shqiptarët, por edhe në Kroaci.
Gazetari kroat, Velimir Bujanec e ka shijuar në maksimum golin e Shaqirit dhe fitoren e Zvicrës ndaj “armiqve” të Serbisë, shkruan Bota Sot.
Ndërkohë që po luhej ndeshja dhe sulmuesi nga Gjilani zhbllokoi takimin duke kaluar skuadrën e tij në avantazh, Bujanec ndërpreu të ftuarin e tij në televizionin Z1:
“Më fal, duhet të të ndërpres, pasi sapo më dhanë një lajm të mirë.
Shaqiri i ka shënuar gol Serbisë, 1-0 për ne”, dhe bëri simbolin e shqiponjës me duar. Bujanec është një ish-luftëtar që ka dhënë kontributin e tij në luftën e kroatëve për Pavarësi (1991-1995) ndaj forcave serbe, në të cilën guxuan të marrin pjesë ndaj forcave gjakatare serbe edhe shumë trima shqiptarë, me të cilët ai luftoi përkrah dhe u bë mik përjetë.
Pasi rezultati shkoi 2-2, Velimir e ndërpreu emisionin e tij duke u shprehur gjithsesi i bindur se Serbia do të dështonte. Në fund pati festë. “Gëzuar, vëllezër shqiptarë!“, deklaroi Bujanec, i cili nuk e kurseu ironinë ndaj serbëve në postimin në rrjetet sociale pas ndeshjes.
“Shpresoj që mitomanët e mëdhenj serbë nuk do ta festojnë këtë disfatë si fitore pas 200 vitesh, njësoj siç festojnë Betejën e Fushë Kosovës”, referuar betejës së qershorit të vitit 1389 kur princër dhe fisnikë shqiptarë, serbë, bullgarë e rumunë luftuan së bashku ndaj Perandorisë Osmane. /Bota Sot