Gjashtë gabimet e këshilltares Besa Arifi, mbi vetingun në drejtësi!

0

Nga Alpin OLLOGU/
Nën cilësinë e juristes, zonja Arifi, këshilltare për punët ligjore të Presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, njëherazi profesore universitare dhe me peshë në opinion publik, si në prononcimet e mëhershme, ashtu edhe në prononcimin e ditëve të fundit për çështjen e vetingut në drejtësi, shfaq kontradikta në deklarimet e saj. Deklaron të pavërteta apo kryen gabime të dukshme në konteskt të reformave në drejtësi dhe procesit të debatueshëm mbi vetingun. Për më shumë, qëllimshëm apo jo, me ose pa të drejtë vihet në mbështetje të qëndrimeve zyrtare dhe jozyrtare të partisë së presidentit Pendarovski, LSDM-së.

Më konkretisht, këshilltarja Arifi para disa ditësh deklaroi: “Organet tjera të administratës shtetërore mund të jenë joaktive për një kohë të gjatë dhe ky është rreziku që lidhet me vetingun edhe pse si një proces mund të jetë edhe pozitiv. Veçanarisht është shumë vështirë kur një proces i tillë duhet të ndodhë gjatë periudhës parazgjedhore, gjë që është krejtësisht e pamundur për shkak se një proces i këtillë veçanërisht në qoftëse do të kishte ndërhyrje në organet gjyqësore do të kërkonte ndryshim të ligjeve që kanë të bëjnë me atë sferë, e të cilat janë ligje që kërkojnë dy të tretat e votave në parlament për t’u ndryshuar dhe në përgjithësi do të ishte një proces vështirë ose aspak i realizueshëm në periudhë parazgjedhore”… “Procesi i pastrimit të thuash të të gjitha institucioneve nga elemente të cilat mund të lidhen me kryerjen paraprake të veprave penale në ato struktura, duhet të lidhet me procesin e realizimit të reformave që dolën si Reforma të Pribesë dhe do të ishte mirë që në ato tre sfera të njëjtat të realizohen, pra në gjyqësor, në shërbimet sekrete dhe në administratën publike. Mirpo këto janë sfera shumë të gjëra dhe duhet të kemi parasysh që vetingu si i tillë nuk ishte një proces I cili u këshillua dhe as nuk u përkrah nga ata të cilët i krijuan ato raporte ndërkombëtare”.

Gabimi i parë: Në lidhje me vështirësinë e procesit të vetingut në periudhën parazgjedhore, duhet ti kujtojmë zonjës Arifi, se ne gjendemi 5 muaj para zgjedhjeve, gati një gjysmë viti. Megjithëse, edhe sikur të ishim më afër zgjedhjeve, asnjë proces nuk është i vështirë të realizohet (domethënë të niset) nëse ka vullnet politik të shumicës parlamentare. Përkundrazi, fushatat parazgjedhore janë tundje politike për të nxjerrë më të mirën në dobinë qytetare, dhe në këtë kuptim, procesi i vetingu në periudhë parazgjedhore, përkundrazi mund të jetë më aktuale se çdoherë, për arsye se tani sqarohen më mirë qëndrimet e partive politike, koordinohen dhe përgatiten në llogaridhënien para popullatës. Tani kërkohet arritja e marrëveshjeve dhe koordinimeve për programet partiake me koalicionimet e mundshme parazgjedhore ose paszgjedhore, gjë e cila konkretisht do të çonte në realizimin sa më të mundshëm të dy të tretave të votave në legjislativ, për të sjellë një ligj të vetingut në sistemin e drejtësisë – ngjashëm me atë në R.Shqipërisë. Edhe sa i takon realizimit, procesi i vetingut në drejtësi nuk realizohet i gjithi në periudhë parazgjedhore të këtyre pesë muajve, as në një mandat katërvjeçar, por ai është proces që vazhdon për shumë vite. Ajo që tani kërkohet të bëhet, si nga nismëtarët e projektligjit dhe mbeshtetësit vetingut, është fillimi i procesit dhe fillimi është akti psikik, vullneti për nisjen e një procesi, pastaj të tjerat janë diskutime të projektligjeve, diskutimeve parlamentare debateve të hapura, kordinimet me faktorin ndërkombëtar si monitories të procesit, si dhe përpjekjen në arritjen e votave të nevojshme për miratim. Akt fillestar ky i cili është në mungesë të plotë në partinë e Kryetarit të shtetit, apo LSDM-së. Pra zonja këshilltare, këtu nuk kemi problem me vështirësitë parazgjedhore të realizimit të vetingut, por me aktin psikik të mungesës së deklarimit PRO, të partisë së presidentit që ju e këshilloni, sot e disa vite rradhazi.

Gabimi i dytë: Sa i takon organeve të administratës. Organet e administratës nuk ka pse të jenë jo-aktivw pesë muaj para zgjedhjeve, por edhe sikur të ishte më herët, procesin e vetingut nuk e realizojnë organet e administratës, por kryesisht trupa të specializuara – komisione të vetingut të dalë nga organet e pushtetit gjyqësor. Gjithmonë nëse pushteti ekzekutiv nuk do ti bëhej pengesë dhe t’ja vështirësonte punën pushtetit gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë si organ i administratës shtetërore, e cila ka pjesë parciale – sekondare në proces. Nëse gjithmonë do ishte ai vullneti psikik i LSDM-së, për PRO vetingun. Ngase me pasjen e vullnetit, jo që s’do bënte pengesë, por mund të fillonte kërkimin e votave të miratimit, dhe jo të alibive të justifikimit të pamundur. Këtu duhet ta shikojë vështirësinë zonja këshilltare, dhe jo tek pamundësia apo mungesa aktivitetitt; administratës shtetërore të parazgjedhjeve (para gjysmë vjetore).

Gabimi i tretë: Këshilltarja është kontradiktore në prononcimin e saj. Në një anë thotë që vetingu është vështirë të realizohet në periudhë parazgjedhore, pavarësisht se si proces mund të jetë edhe pozitiv (e thotë me doza dyshimi, me “mundet”), në anën tjetër ngre arsyetime kundërshtimi, se ai nuk qenka një proces që këshillohet dhe përkrahet nga ata që krijojnë raportet ndërkombëtare (besoj e ka fjalën për raportet e Pribesë). Megjithëse as këshilltarja dhe as Këshilli për Reforma në Drejtësi (ku para disa muajsh u dorëhoq kryministri Zaev nga kreu i këtij Këshilli, me siguri nga “efikasiteti”), nuk na kanë treguar dhe nuk na tregojnë akoma se kush janë këta ndërkombëtarë që janë kundër vetingut në drejtësi?! Të thuash se ndërkombëtarët janë kundër, duhet dikush me peshë qeveritare t’ju kërkojë diçka të tillë. Më me peshë për të kërkuar veting nga ndërkombëtarët, është padyshim mandatari Zoran Zaev. E mandatari jo vetëm që ska kërkuar veting, ngase po ta kishte kërkuar, do ta dëgjonim të paktën qoftë edhe vetëm një herë në dalje publike. Pwrkundrazi, ai gjatë gjithë kohës ka qenë kaotik në këtë drejtim, madje edhe nw kundwrshtim me disa funksionarw të partise se tij, të cilët në një formë janë deklaruar në pëlqim tw vetingut. Kryeministri madje ka dhënë deklarata joserioze, si ajo që: “nëse do bëhej veting në vendin tonë, do mbeteshim pa gjykatës”. Që domethënë e kundërshton realizimin dhe pranon zymtësinë e sistemit të drejtësisë, dhe i vetëdijshëm pranon të udhëheqë qeverinë me këtë zymtësi korruptive dhe paaftësie gjyqtarësh dhe prokurorësh, të cilët rrjedhimisht shumë lehtë mund ti shërbejnë pushtetit të tij ekzekutiv, dhe jo drejtësisë ligjore.

Gabimi i katërt: Në lidhje me reformat e Pribesë në drejtësi. Këshilltarja e punëve ligjore të Presidentit të shtetit nga radhët e LSDM-së, më shumë se çdokush duhet ta dijë se edhe rekomandimet e Pribe-së për reformimin e gjyqësorit – më shumë në aspektin legjislativ, jo vëtëm që kanë dështuar, e thënë kjo vetë nga raportet e Pribe-së, por ato si të tilla edhe nëse realizohen, nuk mund ta reformojnë gjyqësorin e kwrkuar, sepse reformimi i Këshillave Gjyqësorë, ska kapacitet e as mekanizëm të bëjë atë që mund të bëjë vetingu i drejtësisë – ngjashëm si në shtetin fqinj. Të gjitha raportet ndërkombëtare për sistemin e drejtësisë gjatë këtyre viteve të qeverisë Zaev, kanë qenë negative. Jo vetëm që kanë dështuar reformat në drejtësi, por dështoi edhe Prokuroria Speciale në mënyrë spektakolare, si në aspektin profesional të procedimit të lëndëve (deri tani me vetëm dy aktgjykime (vjetërsohen lwndwt), por dhe ikje nga drejtësia e figurës kryesore kriminale Nikolla Gruevskit, pa j’u ngrirë pasuria apo vendosur me kohë masa e paraburgimit) ashtu edhe në atë moral – korruptiv me kryeprokuroren e famshme të lëndës së biznesmenit korruptiv të buxhetit të shtetit, Kamçev. Kujtojmë që reformimin e Këshillave Gjyqësorë e bënte edhe qeveria Gruevski, njësoj siç bëhet sot në qeverisjen Zaev. Prandaj ska kuptim të quash reformë shkarkimin e disa gjyqtarëve nga Këshillat Gjyqësor – sipas orekseve partiake, dhe këtë ta konsiderosh reformë. Më e paarsyeshme, këtë ta përdorësh si element kundërshtimi mbi vetingun në drejtësi.

Në këtë drejtim, për të kuptuar më mirë kontradiktat dhe gabimet e lartëshënuara të zonjës Arifi, le të shërbehemi edhe me disa gabime vijuese të një prononcimi të para tre muajve, ku ajo deklaron se: “Procesi i “vetingut” si i përgjithshëm është i gjerë dhe në ato përmasa që e ka bërë Shqipëria te ne nuk është kërkuar asnjëherë të realizohet, as në raportin e Pribe-së, as të Komisionit Evropian, prandaj nuk është shkuar deri atje, pasi që është menduar se me veprime të kufizuara mund të ndryshohen disa gjëra, me atë se nëse bartet përgjegjësi prej gjykatësve që kanë bërë lëshime në të kaluarën ose që eventualisht bëjnë tani, do të mund të vendosin rend në krejt atë procedurë. Një proces i tillë i kufizuar, nuk do të kishte kushtuar shumë, vetëm se duhet të bëhet në atë mënyrë që drejtësia me të vërtetë të vendoset aty ku duhet, dhe është çështje se sa kanë kapacitet institucionet dhe a ka sa duhet vullnet politik që të vendoset një rend i tillë dhe të vendoset përgjegjësi për gjyqtarët që nuk e kanë zbatuar ligjin”… “Te ne të gjithë gjyqtarët kanë paraqitje të pronave, nuk është këtu problemi, saqë është në mënyrat tjera korruptive, të njohësve dhe lidhjeve që i kanë. Pastrimi i gjyqësorit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe ata të cilët e ndajnë drejtësinë në mënyrë të varur dhe të anshëm, ka koston financiare.”

Gabimi i pestë: Në lidhje me prononcimin e para tre muajve: këshilltarja thotë që procesi i vetingut është i gjerë dhe se nga ndërkombëtarët nuk na qenka kërkuar të realizohet në ato përmasa. Këtu tani kemi një kontradiktë tjetër me daklaratën e para disa diteve, domethënë nuk është se ndërkombëtarët skanë kërkuar veting, por paskan kërkuar një veting më të ngushtë. Tani shtrohet pyetja, çfarë vetingu paskan kërkuar ndërkombëtarët?! Apo mos ndërkombëtarët sipas këshilltares në fjalë, konsiderojnw veting veprimet e kufizuara tw Këshillave Gjyqësorë? Ngase Këshillat Gjyqësor në asnjë formë nuk bëjnë veting dhe skanë mekanizëm ligjor të bëjnë veting të gjithë sistemit, madje as të një gjyqtari dhe prokurori të vetëm. Ata madje skanë kredibilitet dhe as potencial për ta bërë punën ligjore që janë përcaktuar, pasi vetë mund të jenë të inkriminuar dhe me pasuri të pajustifikuar. Më mbresëlënëse, kur këshilltarja thotë se ky “vetingu” i kufizuar në drejtësi, ka edhe më pak kosto financiare, por që realizimi do bëhej nëse ka kapacitet institucional dhe vullnet politik. Qesharake deri në fund, kur kemi parasysh rrethanat e gjyqësorit tonë, institucionet e shtetit dhe pasqyrën më të fundit dhe të qartë për të parë subjektin e sistemin të drejtësisë pa veting, ish kreun dhe milionat shpenzuara të eurove për Prokurorinë Speciale.

Gabimi i gjashtë – ajka e gabimeve: Këshilltarja deklaron se në vendin tonë, të gjithë gjyqtarët paskan paraqitje të pronave, e këtu nuk paskemi problem me pasurinë e tyre (duke j’u referuar krahasimit me gjyqtarët e Shqipërisë, me atë se atje nuk paskan paraqitur pronat), por paskemi problem me njohjet, lidhjet që ata kanë dhe moszbatimin e ligjit. Gabimi, apo ajka e gabimeve të këshilltares Arifi, është ajo që mendon se nësë gjyqtarët dhe prokurorët paskan deklaruar pasurinë, ata qenkan në rregull, qenkan me figurë të pastër! Po jo zonja këshilltare, je tepër gabim, vetingu ka thelbësor justifikimin e pasurisë së subjekteve të drejtësisë, jo deklarimin e pasurisë. Në Republikën e Shqipërisë mbi 90% e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë përjashtuar për mosjustifikim pasurie, dhe jo për mos deklarim pasurie. Sepse edhe në Shqipëri ashtu si në vendin tonë, shumica dërmuese e zyrtarëve të lartë kanë pasur të deklaruar pasuritë (për këtë mund të siguroheni nga statistikat e organeve të vetingut). Edhe Gruevski me shokë kishtë të deklaruar pasuritë, por sa hajdutë dhe mashtruesa ishin, ju e dini shumë mirë e nderuara këshilltare. Ju e dini shumë mirë në aspektik logjik, se kur bie shi, toka lagët. Ashtu edhe një gjyqtar dhe prokuror kur vepron anshëm, me njohje dhe shkelje ligji, ai merr ryshfet. Se fundmi, kryetari i shkarkuar i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, në mënyre korekte çdo vit e ka pasur të deklaruar pasurinë. Por ta justifikosh pasurine e tij maramendëse, është pak e vështirë zonja këshiltare. Prandaj nuk duhet të dalim në mbrotje të krimineleve më keqbwrws së këtij vendi, gjyqtarëvë dhe prokurorëve të korruptuar, por duhet përpjekur që ata të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari për gjithë demin e shkaktuar popullatës dhe shtetit të së drejtës.

Për në fund, me gjithë respektin për zonjën Besa Arifi dhe kontributin shoqëror të saj, dua ti kujtoj një shembull nga shteti fqinj i Republikës së Shqipërisë, se katër nga pesë gjyqtarët të cilët e shpallën të pafajshëm presidentin aktual të Shqipërisë, Iliri Metën – në lidhje me videon korruptive, të katër këta gjyqtarët u përjashtuan nga vetingu për mosjustifikim pasurie, pa pasur nevojw tw futen në sitwn e dy kritereve të tjera. Çuditërisht, vetëm njëri gjyqtar që ishte pozicionuar për fajësinë e tij, i mbijetoi vetingut, doli i pastër. Në këtë kuptim, meqë ju zonja këshilltare duket qartë se jeni pozicionuar kundër vetingut, ndër të tjerash, me apo pa qwllim, i bëni shërbim gjyqtarëve të cilët kanë shpallur të pafajshëm bashkëpunëtorin e afërt partiak të presidentit që ju këshilloni, të parin e qeverisë Zoran Zaev. I bëni shërbim pasi vetingu me shembullin që ju atakoni dhe refuzoni, i fut në sit këta gjyqtarë, në tri elementet kryesore, justifikimin e pasurisë, lidhjet kriminale dhe profezionalizmin gjatë punës. Kështu që të qenit këshilltare e figurave të kësaj partie, me kundërshtimin që ju bëni vetingut, shkaktoni konflikt moral interesi me punën e paguar. E për tju shmangur këtij konflikti interesi, ose duhet të hiqni dorë nga detyra e këshilltarës së Pendarvoskit të dalë nga LSDM-ja, ose të hiqni dorë nga kundërshtimi dhe atakimi i vetingut në drejtësi!