Gjenerali i njohur shqiptar, Dritan Demiraj, është pritur në një takim zyrtar në selinë e Qeverisë së Kosovës nga kryeministri Albin Kurti dhe disa prej ministrave të kabinetit të tij. Gjenerali Demiraj e ka vlerësuar këtë pritje si një shenjë të qartë respekti dhe vlerësimi nga ana e udhëheqjes së lartë kosovare.
Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe komunitetit Shqiptaro-Amerikan në të gjitha fushat me interes kombëtar, me fokus të veçantë në mbrojtjen dhe sigurinë.
Demiraj theksoi njohuritë e thella dhe gjithëpërfshirëse të kryeministrit Kurti në fushën e mbrojtjes, si dhe vendosmërinë e tij për të përmbushur kërkesat e SHBA-së për rritjen e investimeve në infrastrukturën ushtarake.
“Në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe SHBA-në, po punohet për hartimin e një doktrine strategjike që do të garantojë sovranitetin territorial dhe integrimin e plotë të Kosovës në NATO,” deklaroi Demiraj, duke nënvizuar mbështetjen që Kurti shfaqi për disa propozime konkrete në këtë drejtim.
Në takim, gjenerali Demiraj i dhuroi kryeministrit Kurti katër nga librat e tij më të fundit mbi gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë, si një kontribut për vizionin strategjik të shtetit.
Ai shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar me ekspertizën e tij në çdo rast që vendi ka nevojë në fushën e sigurisë publike dhe kombëtare.
Në fund, Demiraj shprehu shpresën që forcat politike të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për formimin e qeverisë së re, me qëllim vazhdimin e reformave dhe forcimin institucional të vendit. (INA)