Gjenerali britanik: Ushtria ruse do sulmojë shpejt dhe Perëndimi do humbasë 11 orë më parë

Drejtuesi i Ushtrisë britanike, gjenerali Sir Nikolas Karter, e përshkroi Rusinë si kërcënimin më të madh për Britaninë e Madhe, që nga lufta e ftohtë. Ai paralajmëroi se sulmi rus mund të fillojë shumë më shpejt sesa e mendon Britania.

Në një nga fjalimet më të ashpra të një shefi ushtarak të lartë në vitet e fundit, Karter tha se konflikti me Rusinë mund të fillojë në një mënyrë të paparashikueshme dhe se ky vend nuk është mijëra kilometra larg, por në portat e Europës.

Ai i kushtoi pothuajse të gjithë fjalimin e tij 40-minutësh kërcënimit që paraqitet, sipas tij, nga Rusia.

“Ushtria ruse do të ngrihet mbi ne dhe aftësia jonë për të vepruar do të jetë mjaft e kufizuar. Ne do të jemi humbësit.”

Karter tha se armët në këtë luftë të re nuk do përfshijnë ato të zjarrit, por mund të përfshijnë shfrytëzimin e energjisë, ryshfetet, praktikat e korruptuara të biznesit, sulmet kibernetike, vrasjet, lajmet e rreme, propagandë dhe kërcënime ushtarake.

Për këtë arsye, sipas tij, Europa Perëndimore është e papërgatitur.