Gjenerali tetovar në Ushtrinë perandorake

0

Kush ishte gjenerali shqiptar nga Tetova, i cili diplomoi në Akademinë Ushtarake të Stambollit më 1904 dhe u bë epror i Ushtrisë Perandorake dhe ushtarak i nderuar nga Kemal Ataturku, themelues i Turqisë moderne. -Fatma Hanko nga Tetova, e bija e Sheh Mustafa Tetovës (nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit më 1878), ishte gruaja që solli në jetë Hajrulla Fishekun (1885), i cili në moshë minore shpërngulet me familje në Turqi, ku shkollohet dhe arrin në kreun ushtarak osman

Nga Ismail ARSLLANI

Tetova e shek. XIX, një nga qendrat kryesore të Vilajetit të Kosovës, ka dhënë personalitete të shquara në hierarkinë perandorake. Njëri prej tyre ka qenë edhe Hajrullah Fisheku, i biri i Fatma Hankos (e bija e Sheh Mustafa Tetovës, nënkryetarit të Lidhjes së Prizrenit më 1878), i cili ka lindur në Tetovë (Kallkandelen) në vitin 1885 dhe ka vdekur në Ankara në vitin 1975, në moshën 90 vjeç. Ka qenë oficer i lartë në Ushtrinë Turke (1904-1945), ka marrë pjesë në disa luftëra dhe është dekoruar me grada të larta ushtarake. Gjenerali i lindur në Tetovë, ka lidhje gjaku me Sheh Mustafa Tetovën nëpërmjet nënës së tij, e quajtur Fatma, e cila ishte e bija e shehut.

Për nga babai, gjeneral Hajrullai, ka qenë pasardhës i tetovarit të njohur, hfz. Sulejman Efendi – Tyfekçiu, i lindur në Tetovë (Kallkandelen), në vitin 1849, ndërsa ka ndërruar jetë në Ballëkesir (Balikesir) të Turqisë në vitin 1894, si dhe nënës Fatma Hanko /vajza e Sheh Mustafës/, e lindur në Tetovë 1847 dhe ka vdekur në Stamboll, në vitin 1930.

Hajrullah Fisheku ka hyrë në Akademinë Ushtarake në vitin 1901 dhe atë e ka kryer me sukses në vitin 1904. Pas kryerjes së akademisë, pranohet në Ushtrinë Osmane si toger, kurse në vitin 1906 ka diplomuar për kapedan (Mumtaz Yuzbasi).

Hajrulla Fisheku ka pasur një motër, të quajtur Hatixhe (1873-1902), si dhe tre vëllezër: Abdylhamitin (1866-1917), Nuriun (1878-1945) dhe Zekerijaun (1880-1932). Hajrullahu është martuar me Mukaddesen (1891-1958) dhe ka pasur dy djem: dr. sc. Nusret Fishek (1914-1990) dhe prof. dr. Hixhri Fishek (1918-2002).

Në një fotografi nga viti 1930, shihet gjenerali tetovar Hajrullah Fisheku, duke u përshëndetur me themeluesin e Turqisë së sotme moderne, Mustafa Kemal Ataturkun, i cili po ashtu ka prejardhje shqiptare (babai nga Koxhaxhiku i Dibrës), gjatë përurimit të hekurudhës për në Ankara, kryeqendrën e Turqisë.

FAMILJA E GJERË E GJENERALIT TETOVAR

Nipi i atdhetarit tetovar Sheh Mustafa Tetovës, Nuredin Kallkandelen /1902-1974/, në shenjë respekti ndaj gjyshit të vet, ka marrë mbiemrin Kallkandelenli (Tetovar). Ndonëse ka lindur në Beshiktash të Stambollit, sipas mbiemrit dhe deklarimit të tij si shqiptar, shihet qartë se ka dashur të ruajë kushtrimin e gjyshit të vet, Sheh Mustafës dhe të mos heq dorë nga rrënjët e veta gjyshërore shqiptare dhe nga vendlindja e të parëve të vet. Nuredini ishte i biri i Sabri Kallkandelenit, i lindur në Tetovë, ku kaloi rininë, për të emigruar më vonë në Turqi, bashkë me babanë, Sheh Mustafa Tetovën. Nuredin beu ka pasur dy fëmijë. Kur të parët e tij emigruan për në Turqi në vitin 1881, i biri i Sheh Mustafës, Sabriu ishte 19 vjeç. Babai i tij, Sheh Mustafë Tetova ka ndërruar jetë në vitin 1893, në moshën 93 vjeç, ndërsa është varrosur në varrezat e një Teqeje në Stamboll. Sabri Efendiu ka punuar në Bibliotekën Universitare të Stambollit deri në pensionim, në vitin 1935, ndërsa po në atë bibliotekë ka punuar edhe Nuredin Kallkandeleni, deri më 24 dhjetor 1974, kur ka ndërruar jetë.

DEKLARIMI PREJ SHQIPTARI I NUREDIN BEUT

Sabri efendiu ka punuar me një pagë mujore prej 800 groshësh në Bibliotekën e Jëlldëz Sarajit (Yildiz Saray). Rektori prof. Ismailhaki Balltaxhioglu ka transferuar fondin e librave të kësaj biblioteke në vitin 1925 në Bibliotekën Universitare të Stambollit, ku Sabri efendiu ka vazhduar punën deri në vitin 1928.

Pasardhësit e familjes së Sheh Mustafës, nënkryetarit të Lidhjes së Prizrenit, kanë jetuar në Beshiktash të Stambollit deri në vitin 1938, kur largohen prej aty për në Samatja të Turqisë. Sabri ef. Kallkandeleni ka ndërruar jetë më 8 prill 1943 dhe trupi i tij është varrosur në varrezat e Stambollit, pranë babait Sheh Mustafa. Mjerisht, në varrin e tij nuk ka asnjë gur varri apo epitaf, për dallim nga babai, i cili ka një gur të dekoruar mbi varr.

Sabri ef. Kallkandeleni ka pasur dy fëmijë, Nuredinin, që lindi në vitin 1902, i cili po ashtu është bërë bibliotekist. Një kohë ka studiuar Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll, por atë e ka ndërprerë pas një kohe, për të hyrë me punë në bibliotekë. Nuredini ka lexuar shumë libra në atë bibliotekë. Nëna e tij është quajtur Saime Hanëme. Nuredin beu ka treguar interesim të madh për libra dhe gazeta, kështu që ka bërë një arkiv të madh të dokumenteve të kohës. Ka qenë shumë i dashur, i shoqërueshëm dhe hokatar.