Një zëdhënës i qeverisë gjermane thotë se Presidenti serb duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij për paqen në rajon. NATO ka vendosur të shtojë trupat në Kosovë.
Pas përshkallëzimit të fundit të dhunës në veri të Kosovës, qeveria gjermane i ka bërë thirrje presidentit serb
Aleksandar Vuçiq të veprojë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij për paqen në rajon dhe të bëjë gjithçka për të çshkallëzuar, tha të premten në Berlin një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.
Por nëse qeveria serbe tani organizon një ditë zie për dorasit e vrarë, kjo nuk do të kontribuojë në çshkallëzim, tha ai. Serbia duhet “të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, kërkoi zëdhënësi.
Gjithashtu është e nevojshme të sqarohet origjina e armëve të shumta të gjetura. Është irrituese të shohësh se si presidenti serb “deklaron se fajtorët janë viktima”.
Në veri të Kosovës, sipas informacioneve të qeverisë, 30 persona të armatosur dhe të maskuar hapën zjarr ndaj policisë kosovare të dielën në një fshat jo shumë larg kufirit me Serbinë. Më pas ata pushtuan një manastir ortodoks serb. Një oficer policie dhe tre sulmues u vranë gjatë shkëmbimeve të zjarrit, sipas policisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli për një sulm terrorist të kryer nga kriminelët e inkurajuar nga Serbia. Serbia dhe Vuçiçi i kanë hedhur poshtë akuzat. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin apo nuk ka shpjeguar motivet e autorëve të armatosur.