Gjermania në fije të perit, Hansi Flick: Rrezikojmë t’i themi lamtumirë Botërorit për shkakun tonë

Trajneri i kombëtares gjermane, Hansi Flick, në konferencën e tij zyrtare për shtyp para ndeshjes deklaroi se kombëtarja e tij do të luajë kundër Kosta Rikës shumë e ngarkuar psikologjikisht.

Të tijtë janë në këtë situatë (në një masë të madhe, varet nga rezultatet e tjera për t’u kualifikuar) për fajin e tyre, sepse nuk i kanë “luajtur mirë” dy ndeshjet e para. Pra, Gjermania nuk varet nga vetja për të shkuar në 16-she të Botërorit:

“Jemi në këtë situatë për shkakun tonë, sepse nuk luajtëm mirë. Tani na takon ne të përgjigjemi, është përgjegjësia jonë të japim 100%”. Llogaritë nënkuptojnë se një fitore minimale e gjermanëve nuk vlen nëse Spanja dhe Japonia barazojnë.

“Nuk do të them se do të shënojmë tetë gola, – u përgjigj Flick, duke pasur parasysh opsionin e rikuperimit të golaverazhit karshi Spanjës. – Do të ishte mungesë respekti. Fati ynë do të varet edhe nga rezultati i ndeshjes tjetër të grupit.

Ajo që shpresoj, nëse shikojmë tabelën, është që Kosta Rika të ketë mundësinë të avancojë nëse barazojmë ne dhe Spanja fiton. Nuk varet vetëm nga ne. Kemi presion në këtë kompeticion dhe ndonjëherë kjo të vjen në ndihmë. Do të jetë e rëndësishme që ne të gjejmë një zgjidhje për këtë”.

Vazhdimësia e Flick mund të varet nga performanca në këtë Botëror, pavarësisht se trajneri kujton datën e skadimit të kontratës së tij: “Unë jam një person optimist, nuk i konsideroj mundësitë nëse eliminohemi. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, kontrata ime është deri më 2024, pastaj kemi Europianin në shtëpi.

Do ta përballojmë ndeshjen me synimin për të vendosur tonin që në fillim, me presion. Do të jetë e vështirë kundër një ekipi me qasje mbrojtëse. Duhet të tregojnë të njëjtin qëndrim si ndaj Spanjës”.