Gjermania: Nuk është në interesin e Bullgarisë të pengojë anëtarësimin e Shkupit në BE

0

Gjermania, që kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, vlerëson se problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të përfshihen në kornizën negociuese për anëtarësimin e Shkupit në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim të Berlinit zyrtar e bëri të ditur ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holstein, teksa komentoi një memorandum, përmes së cilit, Bullgaria i ka kërkuar vendeve anëtare të BE-së, që në kuadër të kornizës negociuese me Shkupin, të fusin edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që Sofja dhe Shkupi kanë arritur më 2017.

Në memorandumin prej gjashtë faqesh, Bullgaria ka argumentuar se me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë zgjidhur kontestet rreth gjuhës, historisë së përbashkët dhe pakicave. Po ashtu, Sofja zyrtare ka paralajmëruar se mund të vendosë edhe veto për anëtarësimin e Shkupit në BE.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holstein, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, është shprehur e prerë se është në interesin e Bullgarisë, që të mos e bllokojë procesin e integrimeve evropiane për Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria ua ka treguar këto kërkesa (të përfshira në memorandum) vendeve të tjera anëtare në fillim të gushtit. Ne dhe sipas njohurive të mia, të gjitha vendet tjera anëtare, jemi të mendimit që problemet dypalëshe nuk duhet të vihen në kuadrin negociues dhe që problemet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Bullgaria gjithnjë ka qenë mbështetëse e madhe e përparimit në integrimin evropian të rajonit, përfshirë edhe të Maqedonisë së Veriut”, thotë ambasadorja Holstein.

“Është në interesin thelbësor të Bullgarisë që të mos bllokohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian për këtë rajon”, shton ambasadorja gjermane në Shkup.