Gjermania ofron mbrojtje për dezertorët rusë

Ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, tha se dezertorët rusë mund të kërkojnë mbrojtje në Gjermani.

Dezertorët rusë, të cilëve u kanosen represione të rënda, mund të aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani, tha të enjten, 22.09,22 ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung.

Kurse kundërshtarët e regjimit rus që janë në “rrezik të madh” mund të aplikojnë për azil politik, tha ajo. Faaser tha më tej se edhe Zyra e Migracionit në Gjermani është vënë në dijeni për këtë dhe e ka aktualizuar rregulloren përkatëse. Por vendimi për azil politik është një vendim individual, në kuadër të të cilit bëhet edhe një kontroll i sigurisë.

Dy parti të koalicionit të qendrës së majtë, liberalët (FDP) dhe Të Gjelbrit, kërkuan të parët pranimin e dezertorëve rusë. Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann, (FDP) tha se “Kushdo që urren rrugën e Putinit dhe e do demokracinë liberale është i mirëseardhur në Gjermani”. Partitë reaguan kështu, pas thirrjes së Putinit për rekrutimin e 300,000 rezervistëve. Pas kësaj thirrjeje shumë të rinj ishin përpjekur të largoheshin nga Rusia të mërkurën. Biletat për fluturime jashtë vendit u shitën të gjitha brenda një kohe shumë të shkurtër.