Gjigantët anglezë, në radhë për “yllin” e Atleticos

Yannick Carrasco nën vëzhgimin e gjigantëve anglezë. Manchester United, Chelsea dhe Tottenhami kanë hedhur sytë drejt “yllit” të Atletico Madritit.

Lojtari belg edhe më parë është përfolur për një kalim në Premier League dhe, me sa duket, në këtë merkato gjithçka do të bëhet realitet.

Carrasco ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij në kryeqytetin spanjoll dhe, sipas raportimeve të fundit, klauzola e tij, në rast largimi, është përcaktuar 60 milionë euro.

Dëshira e trajnerit Simeone është për ta mbajtur në ekip dhe shumë shpejt do të nisin bisedimet për kontratën e re, por interesi në rritje i klubeve angleze shihet si pengesë pasi, në rast transferimi, tarifa financiare nuk përbën aspak problem.

Sulmuesi ka luajtur me klubin spanjoll që prej vitit 2015-të dhe në 2018 ai u largua në Kinë, duke qëndruar atje për dy sezone. Ai u rikthye përsëri tek Atletico Madridi dhe në sezonin e fundit në La Liga bëri 34 paraqitje, duke shënuar gjashtë gola dhe asistuar po gjashtë herë për shokët e skuadrës.

Në sezonin 2020-2021 fitoi La Ligën me skuadrën e Atleticos, duke dhënë kontributin e tij të padiskutueshëm për këtë arritje.