Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinoviq” prej dje ka mbetur pa rrymë. Drejtoresha e gjimnazit Teuta Llalla thotë se nuk e kanë paguar rrymën për shkak se komuna e Tetovës nuk ua ka lëshuar bllok dotacionet. Si pasojë, shkolla është në borxh rreth 9 milionë denarë dhe janë aktivizuar shumë përmbarues për mos shlyerjen e borxheve.
“Është shumë e vërtete se gjatë ditës së djeshme në orët e paradites gjimnazit ju ndërpre energjia elektrike, kjo ndodhi si pasojë e mungesës së bllok donacioneve edhe në pamundësi për të paguar u ndërpre energjia elektrike. Por problemi i energjisë elektrike nuk është i vetmi në gjimnazin e Tetovës. Gjatë gjithë kësaj periudhe gjashtëmujore kanë arritur shkresat nga përmbarues të ndryshëm, operatorët ndryshëm që me të drejtë bëjnë apel për t’u paguar dhe përmes përmbarimit të marrin mjetet. Në dhjetor mbyllëm llogarinë me 0 denar borxh, kurse tani arrin borxhi 8 milionë e 800 mijë denarë”, theksoi Teuta Llalla, drejtoreshë e gjimnazit.
Nga ana tjetër, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se nuk mund t’i lëshojë mjete drejtoreshës që, sipas Kasamit, ka padi penale për keqpërdorime financiare.
“E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris, nuk lëshoj mjete financiare një institucioni që udhëhiqet nga një drejtoreshë e cila ka padi penale për keqpërdorim të mjeteve gjë kjo e konstatuar nga revizioni që konstatoi shkelje të rënda të shfrytëzimit të mjeteve nga bllok dotacionet”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës .
Para disa ditësh, Ministria e Arsimit, ia mori kompetencat komunës së Tetovës për gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” për shkak të mos ndarjes të bllok-dotacioneve. Kasami këtë e quajti hakmarrje politike. Edhe vitin e kaluar, ministria Arsimit ia mori kompetencat Komunës për shkarkim joligjor të drejtoreshës Teuta Llalla.