Shkruan: Prof. DR. Sunaj Raimi
Nuk dua të tingëlloj si pesimist apo defetist, e aq më pak si paranoik, por ka një kohë të gjatë që njerëzve përreth iu them se Maqedonia është bërë një shtet i deformuar! Ngado që shikon dhe analizon, e kupton se aty jeta shoqërore zhvillohet në dy dimensione jetësore paralele: atë të shqiptarëve dhe maqedonëve të polarizuar. Në këdo rrethana bashkëjetesa bëhet veç një iluzion, e cila shkruhet nëpër dokumente e flitet nëpër foltore, por realisht nuk funksionon si duhet. Për ta parë deformimin dhe çrregullimin e këtij shteti, mjafton të shihet se cila është ‘top tema’ e mediumeve në RMV. Me një surfim në portale do të marrim info ‘sensacionale’ se tema qendrore në këtë shtet është – çështja e kontestimit të gjuhës shqipe në Gjykatën Kushtetuese! Megjithëse përdorimi i gjuhës shqipe është garantuar me Kushtetutën pas Marrëveshjes së Ohrit të v 2001. Çorodia qëndron aty se në vend se kjo Gjykatë të ndihmojë në përparimin social, politik dhe ekonomik të këtij shteti grotesk, ajo po debaton si ta cungojë gjuhën shqipe, megjithëse shqiptarët këtu e përbëjnë 1/3 e popullsisë së RMV. O sancta simplicitas, o primivizëm që duhet mëshiruar! Deri kur do të jemi ‘kurbanë’ të nacionalizmave anakronik, të cilat vazhdimisht po e pengojnë zhvillimin e vendit tonë drejt BE- së. Ta them të drejtën, assesi nuk po mund ta kuptoj as heshtjen e faktorit shqiptar, e as atij ndërkombëtar, të cilët me ‘urtësi’ po i vështrojnë krejtë këto trende absurde antieuropiane! Duke qenë dëshmitar i gjithë këtij teatri dramatik e (pseudo)politik që po na shfaqet çdo ditë, m’u kujtua një mendim i një miku tim ish-politikan, i cili më thoshte:
Në këtë shtet tonin të çrregulluar dhe të çoroditur, pa bërë problem… nuk mund të zgjidhësh asnjë problem! Që me fjalë tjera ‘popullorçe’ do të thotë se: në këtë shtet, pa bërë zhurmë e pa çuar pluhur, asnjëherë asnjë çështje nuk do kryhet si duhet!