Gjuriq: Ndihmoni shqiptarët me libra – me tanke nuk mund të hyjnë në OKB

0

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë se “disa vende të NATO-s po konkurrojnë të dorëzojnë armë më të mira dhe më shumë në Prishtinë”.

Ai për televizionin publik serb tha se “nëse doni të ndihmoni shqiptarët në Kosovë, dërgojuni atyre libra dhe mos u dërgoni tanke” sepse siç tha Gjuriq “ata nuk do të hyjnë në Kombet e Bashkuara, UNESCO ose Interpol me tanke”.

Gjuriq deklaroi se Serbia është gjithmonë e përkushtuar për paqen, por gjithashtu është e gatshme të mbrojë veten.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për armatosjen e fqinjëve të Serbisë, të cilat janë anëtare të NATO-s dhe Kosovës, përcjell agjencia e lajmeve INA.

“Amerikanët, turqit dhe gjermanët kujdesen për fëmijën e tyre të dashur,” tha Vuçiq, duke aluduar për Kosovën.

Ai tha se Uashingtoni kohët e fundit kishte dorëzuar automjete të blinduara në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Vuçiq tha se tashmë kanë filluar disa nisma për ta forcuar forcën ajrore serbe, veçanërisht në komponetët bombardues.