Gjykata greke dënon me kusht 12 zyrtarë të burgut, për vdekjen e shqiptarit në qeli

Nga Raimonda Kola -V OA
Gjykata e Apelit e Selanikut dënoi të martën me kusht 12 zyrtarë të burgut të Nigritës, të gjetur fajtorë për shkaktim të torturës me lëndime trupore, ndaj ish të burgosurit shqiptar Kudret Kume, që në Greqi e kishte konvertuar emrin në Ilia Kareli.

42-vjeçari nga Shqipëria vdiq në burgun e Nigritës në muajin mars të vitit 2014, vetëm disa orë pasi u transferua nga burgu i Melandrinos, ku qëlloi për vdekje një gardian.

Sipas burimeve zyrtare greke dymbëdhjetë zyrtarët e burgut u dënuan nga Gjykata e Apelit me tre deri në pesë vjet burg, në varësi të shkallës së pjesëmarrjes së secilit. Gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar ata me 5-7 vite burg.

Gjykata e Apelit e lidhi masën zbutëse me rrethanat jo rënduese për veprën penale dhe me sjelljen e mirë të mëvonshme të ish-zyrtarëve të burgut nën akuzë. Ministria greke e Drejtësisë i kishte përjashtuar nga shërbimi grek i riedukimit të gjithë ish-zyrtarët e burgut, menjëherë pas vdekjes së të burgosurit shqiptar në qeli.

Gjykata e Apelit në vendimin e së martës ka pezulluar ekzekutimin e dënimeve për tre vjet, me kusht që të monitorohen nga një kujdestar ose punonjës social.

Me të njëjtin vendim, gjyakta shpalli të pafajshëm të akuzuarin e 13-të, që punonte si roje i jashtëm i burgut, i cili ishte dënuar më parë me 3 vjet.

Sipas aktakuzës, zyrtarët e burgut të Nigritës kanë vijuar me “ndëshkimin” e të burgosurit 42-vjeçar, sapo ai ishte transferuar nga burgu i Malandrinos, sepse ai kishte vrarë kolegun e tyre Jorgo Cironis.

Vdekja e 42-vjecarit shqiptar sipas mjekësisë ligjore nuk i ishte atribuar torturave, por një ataku kardiak. Sipas prokurorit zyrtarët e burgut ushtruan qëllimisht ndaj të arrestuarit tortura për ta dënuar, për vrasjen e kolegut të tyre.

Sipas prokuroit ndërsa “Ilia Kareli ishte i rraskapitur ai u lidh, u rrah me shkelma dhe grushta”, ndërsa disa nga gardianët përdorën edhe tortura të improvizuara në të ashtuquajturën “dhomë frigoriferike” të burgut.