ZYRTARE/ Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit Hashim Thaçi

0

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i japë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.

Kushtetuesja vlerësoi se presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 28 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesën: 1. KO 72/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e aktgjykimit të Gjykatës (teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.

Aktgjykimi i plotë, që përmban arsyetim të hollësishëm, do të publikohet në ditët në vijim. Deri në publikimin e tij, përmbledhja në vijim, reflekton përfundimet thelbësore të Gjykatës.

Presidenti, duke balancuar detyrimin e tij për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 84 të Kushtetutës, përfshirë në këtë kontekst edhe të drejtën e Kuvendit për zgjedhur Qeverinë, siç është përcaktuar në paragrafin 8 të nenit 65 të Kushtetutës, në njërën anë, dhe në anën tjetër, duke marrë parasysh që partia politike fituese e zgjedhjeve, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të vetëm drejt propozimit të mandatarit për Kryeministër përkundër kërkesave të Presidentit, por kishte vazhduar të kërkonte shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, përkundër faktit që shumica e partive politike ose koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend tashmë ishin deklaruar kundër kësaj mundësie, duke i pamundësuar Presidentit ushtrimin e kompetencës së përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 82 të Kushtetutës, me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve. Si rezultat kishte filluar procedurat për mandatimin e kandidatit të ri për Kryeministër, në konsultim me dhe pas propozimit të partisë politike, e cila bazuar në konsultimet përkatëse, ka rezultuar të ketë gjasën më të madhe për të krijuar Qeverinë dhe në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. E kundërta, do të pamundësonte jetësimin e kompetencave esenciale të Kuvendit të Republikës për të zgjedhur Qeverinë e Republikës së Kosovës.

E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi dhe privilegj. Propozimi i këtij emri, ngërthen në vetvete pikën më të lartë të suksesit të një partie politike ose koalicioni brenda një cikli zgjedhor. E drejta e parë për të propozuar kandidatin për Kryeministër i është garantuar partisë ose koalicionit fitues të zgjedhjeve përmes Kushtetutës. Ushtrimi i kësaj të drejte, nuk është i mveshur edhe me autorizimin për të bllokuar formimin e një Qeverie brenda një cikli zgjedhor. Një qëndrim i tillë, do t’i bënte peng të partisë ose koalicionit fitues, të gjitha institucionet më thelbësore të shtetit.

Gjykata në fund thekson se funksionimi demokratik i institucioneve është përgjegjësi parësore e secilit person i cili është i mveshur me autorizime publike. Të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizime publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për Republikën e Kosovës, ashtu që kjo i fundit të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar dhe aspiratave të mishëruara në Preambulën e saj.

KLIKO VENDIMI I PLOTË