Pasi Gjykata Penale thirri për përgjegjësi për arratisjen e Blerim Ramadanit nga arresti shtëpiak, ka reaguar ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski. Ai në Facebook ka shkruar se mbikëqyrjen e arrestit shtëpiak të Ramadanit gjykata ia ka besuar MPB-së, më saktësisht stacionit policor Çair, por mënyra e zbatimit nuk është përcaktuar, edhe pse, siç shtoi Toshkovski, ky është detyrim ligjor.
“Në përvojën time shumëvjeçare si avokat, kam hasur në zgjidhje për përcaktimin e arrestit shtëpiak, ku është përcaktuar saktësisht se si bëhet mbikëqyrja nga policia”, shkruan Toshkovski.
Ministri shtoi se gjatë zbatimit të masës “arrest shtëpiak”, policia nuk ofron siguri 24 orëshe në shtëpinë ku zbatohet masa, por herë pas here kontrollon praninë e personit në intervale të caktuara kohore dhe pa paralajmërim. Toshkovski informon se në disa raste kontrolle të tilla të paparalajmëruara janë bërë në adresën e dhënë nga Ramadani, ndërsa kontrolli i fundit është bërë më 13 gusht.