Gjykata Supreme edhe pas tre viteve nuk ka kohë ta shqyrtojë rastin e Naser Eshtrefit

0

Tre vite pa u shqyrtuar, qëndron në sirtarët e Gjykatës Supreme lënda e Naser Eshtrefit, i dënuar për vrasjen e maturantit Angell Petkovski në maj të vitit 2014 në lagjen e Shkupit, Gjorçe Petrov, shkruan Portalb.mk.

Eshtrefi, fillimisht u dënua nga Gjykata Themelore me 14 vjet burg, ndërkaq të njëjtin dënim më pas e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit. Vendimi është ankimuar nga pala mbrojtëse në Gjykatën Supreme, por gjykata e udhëhequr nga kumbari i ish kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, Jovo Vangellovski, ende nuk e ka shqyrtuar.

Portalb.mk, vazhdimisht ka dërguar pyetje deri te Gjykata Supreme, se pse nuk e shqyrtojnë këtë kërkesë, megjithatë, nga atje ose na kanë dërguar përgjigje se “ende nuk i ka ardhur radha”, ose si në rastin e fundit, nuk na janë përgjigjur fare.

LEXO: Vangellovski shpejtë intervenoi për Koçanin, por nuk ka përgjigje për “Naser Eshtrefin”
Vrasja e maturantit Petkovski, ka ndodhur në maj të vitit 2014, kur ashtu siç njoftuan nga Gjykata, Eshtrefi ia ka vjedhur biçikletën maturantit Petkovski. Petkovski bashkë me të atin e tij, Sasho Petkovski i janë vënë pas Eshtrefit, ndërkaq në shëtitoren e Vardarit, në afërsi të Spitalit të Syve, e kanë mbërritur. Aty ka pasur një zënkë dhe si rezultat i asaj zënke, Eshtrefi e ka therur me thikë maturantin Petkovski.

Eshtrefi ka thënë që ndihet fajtor vetëm për vjedhjen, por jo edhe për ngjarjen e therjes, sepse ai e ka ditur se ata e kanë ndjekur, por nuk ka pasur qëllim që ta vret askënd, ndërkaq më parë nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Lëshimet në procesin gjyqësor

Pala ka reaguar ndaj gjykimit, pasi që sipas tyre i njëjti ka lëshime. Në vendimin e Gjykatës nuk është dëshmuar aspak motivi i Naserit si dhe pse të kishte dashur të vret Angjelin si dhe as elementi kyç: kush kë ka sulmuar më parë – që do të zbardhte gjithë rastin në favor të Naserit. Mbrojta thotë se Naseri nuk e ka njohur Angjelin, e as ka pas tendencë për ta vrarë, sikur te kishte tendence për ta vrarë do ta kishte sulmuar që në momentin fillestar kur e ka parë.

Pos kësaj, vendimi i Gjykatës thotë që Naseri e ka sulmuar Angjelin dhe ka ikur. Por kjo nuk është e vërtetë, avokatët thonë se babai i Angjelit në fund ka pranuar që e ka rrahur Naserin, duke theksuar që vetëm disa herë i ka rënë në shpinë ndërsa nga mënyra si është rrahur duket që i kanë shkaktuar 18 lëndime trupore të vërtetuara nga Instituti për kriminalistikë medicinale. Nga fotot e siguruara nga avokatët shihet se është rrahur dhe ia kanë grisur rrobat si nga para ashtu edhe nga pas.

Nga video incizimi mungojnë segmente me nga disa sekonda, ato janë prerë. Nuk është siguruar aspak momenti i sulmit edhe pse kamera kap edhe atë pjesë, me qëllim sepse sipas avokatëve, vërteton se Naseri nuk ka sulmuar i pari dhe që e ka kryer aktin në mbrojtje. Është prerë dhe momenti kur babai i Angjelit merr shkopin e bejsbollit nga vetura.

Sipas avokatëve, i dyshimtë mbetet fakti që thika që u ther Angjeli dhe druri me të cilin e rrahën Naserin nuk janë askund, dhe asnjëherë nuk u gjendën. Mbeti e pa-përgjigjur pyetja se prej nga ka vërtetuar gjykata se thika është e Naserit? Druri ka qenë shkop bejsbolli i marrë qëllimisht nga babai i Angjelit, gjë që vërteton tentim për hakmarrje, sipas avokatëve. Babai i tij e ka kthyer sërish në veturën e kaltër shkopin e bejsbollit dhe e ka mbështjellë me bluzë, kjo duket në video. Nëse gjendeshin armët e sulmit atëherë rasti do të merrte kahje tjetër- do të duhej të quhej rast klasik i vetëmbrojtjes, transmeton Portalb.mk.

Në gjykatë babai i Angjelit kishte thënë se ai me të birin kishin shkuar ta kërkojnë biçikletën dhe këtë Gjykata e ka marrë si motiv të vlefshëm. Por, avokatët thonë se motivi i babait dhe të ndjerit absolutisht nuk ka qenë ta kthejnë biçikletën e vjerdhur sepse biçikleta- gjë që e konfirmon edhe policia, nuk ka dalë as nga oborri i shtëpisë. Naseri e ka prekur dhe e ka lënë aty. Babai dhe Angjeli e kanë parë që është aty, megjithatë janë bërë gati duke marrë armë të ftohta dhe kanë shkuar e kanë pritur atë përballë Spitalit, që shihet edhe në kamerën e sigurisë.

Sipas avokatëve, duke e konfirmuar edhe gjyshi i Naserit, gjykatësi Ilija Trpkov ka dalë disa herë nga salla për të folur në telefon në momentet kur duhej të silleshe vendimi. Më pas vendimi është sjellë për 10 minuta kohë konsultimi, që le dyshime se ka qenë i përgatitur më herët. Sipas tyre, gjykatësi ka qenë i lidhur me ish kryeparlamentarin Trajko Veljanovski.

Vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilën e vandalizuan disa qindra banorë të së njëjtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit Petrov. Të njëjtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptar. Dëmet nga vandalizmi dhe huliganizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve.