Raporti i grupit punues të Këshillit Gjyqësor, i cili hetoi zvarritjen e procedura në Gjykatën e Apelit për rastet gjyqësore Target – Fortesa”, “Thesari”, “Transportuese” dhe “Alfa”, ka konstatuar se nuk ka arsye të justifikuara se pse është vonuar vendimi për rastin “Target – Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimin e paligjshëm masiv. Lëndët, ku i akuzuar është ish shefi i DSK -së , Sasho Mijallkov, ndërsa gjykatës raportues janë Enver Bexheti dhe Lirije Elezi, janë ruajtur me muaj në sirtar, ndërsa si arsye për këtë, kanë paraqitur kompleksitetin dhe vëllimin e lëndëve, si dhe pushimet vjetore dhe mjekësore.
“Vlerësojmë se nuk ka arsye të justifikuara që të kalojë një periudhë kaq e gjatë nga përfundimi i seancës publike deri në publikimin e vendimit. Vlerësojmë se janë krijuar kushte për vjetërsim eventual të këtij procesi, që është shkelje e rëndë, për shkak të mosrespektimit të afateve për miratimin e vendimit. Kemi kërkuar sqarim nga gjykatësi raportues. Si arsye për këtë gjendje u theksuan numri i madh i lëndëve edhe atë zakonisht lëndë të vështira me interes të lartë publik, të cilat sipas sistemit “akmis” i janë caktuar gjykatësit raportues. Ajo është fakt. Por, ajo që konstatuam është se, prej të gjitha lëndëve të cilat i janë caktuar në punë gjykatësit raportues, vetëm “Target – Fortesa” është lëndë e papërfunduar”, tha Tanja Çaçarova Ilievska nga Grupi punues.
Gjykatësi Bexheti, i cili ishte raportues për lëndët “Target – Fortesa” dhe “Trasnportuesi” ka përfunduar lëndë të datave më të reja, ndërsa ajo për Mijallkovin ka qëndruar në sirtar. Ndërkohë, në lëndën “Thesari”, që ka të bëjë me furnizimin e pajisjes britanike për përgjim, ku i akuzuar kryesor është Mijallkov, gjykatës raportues ka qenë Lirije Elezi, e cila priti pesë muaj nga shpallja e aktgjykimit, për të shkruar vendimin për këtë lëndë.
“Është simptomatike që në të gjitha deklaratat theksohet se nga dita e mbajtjes së seancës publike deri në miratimin e vendimit, anëtarët kanë mbajtur mbledhje, megjithatë nga të dhënat që janë dorëzuar për lëndën, konstatuam se nuk ka procesverbale mbledhjen e anëtarëve të këshillit gjykues”, tha Çaçarovska Ilievska.
Raporti i grupit punues të Këshillit Gjyqësor që u përgatit pas hetimeve në Gjykatën e Apelit në lidhje me këto lëndë, vjen pas presionit të madh publik, pasi në muajt nëntor dhe dhjetor, Apeli shfuqizoi aktgjykimet për lëndët “Target – Fortesa” dhe “Thesari”. Në lëndën e parë, Mijallkovi u dënua me 12 vite burg, ndërsa në lëndën “Thesari” me tetë vit. Lënda “Target – Fortesa” rrezikohet të vjetërsohet në prill, nëse deri atëherë nuk ka epilog gjyqësor./KlanMacedonia