“Gorillat që s’i pamë” i Veton Surroit më i lexuari gjatë vitit 2017

Libri i shkrimtarit dhe publicistit Veton Surroi “Gorillat që s’i pamë” është libri më i kërkuar në Kosovë gjatë vitit 2017.

Pas librit “Gorillat që s’i pamë”, i cili së fundi është përkthyer edhe në gjuhën angleze, renditet “Një ditë në natën pa fund” i autorit Kasëm Trebeshina.

Sipas librashitësve, kërkesa e lexuesve për këta dy autorë lidhet me tematikën që autorët trajtojnë në librat e tyre.

“Konsideroj që autori më i shitur shqiptar është Veton Surroi. Librat e tij prekin tema të përditshmërisë sonë dhe duke pasur parasysh edhe fuqinë mediale që e ka prapa, është autor që pashmangshëm në secilin panair është më i shituri. Sivjet besoj që libri i tij i fundit, ‘Gorillat që s’i pamë’, është libri më i shitur nga autorët shqiptarë, pasuar nga Kasëm Trebeshina”, ka thënë Zeneli

Sipas Zenelit, shitja e madhe e librave gjatë 2017-ës tregon për rritje të numrit të lexuesve.

Se numri i lexuesve është rritur tregon edhe Erza Mati nga libraria “Dukagjini”.

“Ka shumë libra nga autorë të ndryshëm, nga autorë shqiptarë, nga autorë ndërkombëtarë, ka vepra të vjetra, të cilat janë botime të mëhershme, të cilat vazhdojnë të jenë bestsellerë. Viti i botimit asnjëherë nuk e ndal shitjen e tyre pasi që janë kryevepra, por ka edhe botime të reja, të cilat botohen gjatë vitit e përkthehen gjatë vitit dhe arrijnë që të gjejnë kulmin e shitjes dhe të jenë të preferuarat e lexuesve tanë”, ka thënë Mati.

Ndërkohë, sipas tyre, interesim të madh gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe për librat e Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit e Albatros Rexhajt.

E nga fëmijët, autori më i kërkuar ka qenë David Williams, në veçanti libri “Banda e mesnatës”. /Koha.net/