Gostivari dhe Kërçova, dy komunat që humbën shumë banorë gjatë 20 viteve të fundit

Gostivari dhe Kërcova janë dy komunat që janë tretur në këto dy dekada.

Largimet masive të popullsisë drejt komunave të tjera, por më së shumti jashtë vendit, i kanë renditur këto dy komuna të parat sa i takon reduktimit të numrit të popullsisë, në vlera absolute. Duke iu referuar harkut kohor mes dy regjistrimeve të popullsisë humbja për këto dy komuna është mbi 50 mijë banorë, shkruan gazeta Koha.

Por sa i takon reduktimit të popullsisë shqiptare në përqindje, si Gostivari, ashtu edhe Kërçova radhiten të parat. Dallimi mes vitit 2002 dhe 2022 është 18 për qind më pak shqiptarë në komunën e Kërçovës (së bashku me Osllomenë dhe Zajazin), ndërsa 11 për qind shqiptarë më pak numërohen në komunën e Gostivarit. Për rrjedhojë këto dy komuna, kanë kaluar prej disa vitesh në shtim natyror negativ, së bashku me komuna të tjera më të rrezikuara, si Struga, Dibra… Luhatjet shqetësuese të natalitetit janë lidhur jo vetëm me uljen e numrit të foshnjave dhe lindjeve në përgjithësi, por edhe me fluksin e madh të emigrimit dhe kurorëzimeve jashtë vendit.

“Në vlera absolute, ulja më e madhe e popullsisë është në komunat Gostivar (-21.272) dhe Kërçovë (-17.065), ndërsa rritja më e madhe është në komunat Aerodrom (+5.726) dhe Kisella Vodë (+4.729). Në përqindje, rënia më e madhe e popullsisë është shënuar në komunat Qendër Zhupë (-42,9%) dhe në Mavrovë dhe Rostushë (-41,5%), ndërsa përqindja më e madhe e rritjes së popullsisë është në komunat Studeniçan (+27.4%) dhe Sopishtë (+18.7%)”, konstatohet në Atlasin statistikor./Koha.mk