Richard Grenell i ka dalë në mbrojtje regjimit të Aleksandër Vuçiç në Serbi, duke denigruar protestuesit paqësorë që kërkojnë ndërrimin e qeverisë.
Përmes një postimi në “X”, Grenell akuzon protestuesit serbë për dhunë në protesta dhe tentim të uzurpimit të institucioneve me forcë. Në fakt, protestat në Serbi kanë qenë paqësore, madje kanë qenë protestuesit ata që janë sulmuar dhe dhunuar nga njerëz të afërm të regjimit të Vuçiçit.
Dhe të gjithë këtë “kritikë” të pakutpimtë dhe të pavend ndaj protestuesve, Grenell e ka bërë duke shpërndarë një faqe të quajtur “National Independent” që njihet për përhapjen e dezinformacioneve dhe qëndrimeve anti-shqiptare. “Është gjithmonë e rëndësishme të ngrini zërin dhe të dëgjoni. Por të gjithë duhet të dënojnë dhunën dhe t’i përmbahen demonstratave paqësore. Procesi demokratik duhet të respektohet.
Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që marrin me forcë ndërtesat qeveritare.
Nëse nuk ju pëlqen një ligj apo një udhëheqës, atëherë punoni për ta ndryshuar atë – por mos përdorni dhunën”, ka shkruar Grenell.
Ai e ka marrë menjëherë përgjigjen si nga “Community Notes” edhe nga qindra komentues të revoltuar me të.
“Dhuna inkurajohet nga presidenti Vuçiç, i cili pretendon se është e pranueshme që njerëzit të futin makinat e tyre mes protestuesve. Pas kësaj deklarate, shumë studentë kanë mbetur të plagosur rëndë kur makinat kanë hyrë në to gjatë protestave”, ka qenë vërejtja që ka marrë Grenell.